Shqipëria është në kërkim të zëvendësuesit të Gianni De Biasit. Pas refuzimit të Inzaghit, tashmë ka dalë në skenë dhe emri i Clarence Seedorf. Ish mesfushori holandez është emri që ka fituar kuota të ndjeshme gjatë orëve të fundit për të pasuar strategun italian në stolin kuqezi.
Seedorf me një karrierë të pasur si lojtar prej tre vjetësh ka nisur rrugëtimin në botën e trajningut dhe emri i tij ngjall jo pak kureshtje. Holandezi ka mbyllur aventurën e tij në Kinë me Shenzhen, ndërkohë që më parë ka qenë pjesë e Milanit edhe si trajner.
Seedorf pritet të takohet gjatë ditëve të ardhshme me presidentin e FSHF, Armand Duka për një takim në formatin e intervistës. Ky mund të jetë hapi i parë i një bashkëpunimi të mundshëm mes federatës dhe trajnerit holandez.
Detajet rreth këtij takimi të planifikuar nuk janë të shumta por Seedorf është padyshim një emër prestigjioz dhe joshës. Si trajner ai e ka nisur karrierën në stolin e Milanit në 16 Janar të vitit 2014, por u largua nga kjo detyrë në 9 qershor të po atij viti.