Prej disa ditësh ka nisur një debat i madh në lidhje me projektin e qeverisë për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar, pasi shumë aktorë të njohur në vend kanë dalë kundër këtij vendimi dhe nuk kanë munguar deklaratat e shumta.
Ditën e djeshme, Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro bëri një reagim publik për aktorët, kryesisht për Robert Ndrenikën i cili i është kundërpërgjigjur sot me anë të një letre.
Ai thotë se, ministrja nuk ishte e drejpërdrejtë dhe iu përgjigj me kunja thirrjes së tij, për të ndalur ndërtimin e një kulle, aty ku sot është Teatri Kombëtar.
Ndrenika shprehet se nuk heq asnjë presje nga ajo që tha tre ditë më parë në prani të aktorëve duke e sfiduar ndërkohë që vazhdimin e bisedës t'a bënin tek salla e Teatrit Kombëtar.
Ja shkrimi i plotë:
E dashur Mirela!
Lexova me vëmendje letrën tënde. Përveç fjalisë së parë që “je në një mendje me mua”, të tjerat m’u dukën kunja dhe jo shumë të sinqerta. Përsa më përket mua, përveç mënyrës së të shprehurit, që ndoshta vjen nga profesioni im, (mirë do ishte të kisha studiuar për diplomaci) unë nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë.
Bingoja u hap në një situatë emergjente me aprovimin e tërë komunitetit teatror dhe kur paraardhësit e tu në Ministrinë e Kulturës deri në vitin 2000 nuk lanë hapësirë pa dhënë me qira. Përsa i përket ndërtimit të sallave te “Piramida” dhe “Turbina” e kishit ju për detyrë të kishit bërë dhe të bënit transparencën. “Transparencë” që edhe sot e kësaj dite ne po e kërkojmë. Vazhdimin e bisedës do ta bëjmë në sallën e Teatrit Kombëtar.
Me respekt
Roberti