Tayna është një nga artistet më të pëlqeyra të momentit dhe fama e saj tashmë i ka kaluar edhe kufijtë shqiptarë. Këngët e saj kanë nisur të dëgjohen në mbarë botën, madje dhe nga personazhet me famë ndërkombëtare. Së fundmi futbollisti i njohur i skuadrës së “Real Madrid”, Vinicius Junior ka treguar publikisht se e pëlqen shumë këngën e fundit të reperes shqiptare “Sicko”. Ylli i klubit madrilen ka shpërndarë këngën e Tayna-s në ‘Instagram’ dhe madje ka përmendur reperen në postimin e tij.
Më pas edhe Tayna e ka ripostuar në profilin e saj publikimin e futbollistit, duke treguar se është krenare për suksesin e saj. Në fakt kjo nuk është hera e parë që Tayna merr mbështetjen nga dikush me famë botërore. Disa muaj më parë Rita Ora përgëzoi atë dhe Dafina Zeqirin publikisht për këngën e tyre “Bye Bye”, sepse sipas saj dy artistet përcollën mesazhin se vajzat mund të jenë të pavarura e shumë tërheqëse në të njëjtën kohë. Tayna ka vetëm 1 vit që është bërë pjesë e tregut muzikor dhe gjithë këtë sukses e ka fituar falë talentit dhe punës së pandalur të saj.