Amarda Toska e nisi eksperiencën si moderatore në televizion para shumë vitesh nën drejtimin e programit të humorit ‘Portokalli’, krah Agron Llakaj. Pas shkëputjes nga ky i fundit, Ami vazhdoi rrugëtimin në ekrane të tjera si ‘Vizion Plus’ apo ‘Tv Klan’ duke drejtuar formate të ndryshme si ‘Dancing With The Stars’ apo ‘Lufta e nuseve’.
Së fundmi duket se Toska do të rikthehet në natën finale të programit nga ku nisi rrugëtimi i saj, ‘Portokalli’. Ajo ka publikuar disa video në llogarinë në ‘Instagram’, ku ka treguar se ndodhet pranë aktorëve të humorit.
“Portokalli. Shtëpi e ëmbla shtëpi”, ka shkruar Amarda krah këtyre pamjeve në rrjetet sociale.
Me siguri pas këtij momenti të gjithë ndjekësit e moderatores, por jo vetëm, janë shumë kureshtarë se si do të jetë rikthimi i Toskës në programin e humorit, i cili aktualisht drejtohet nga Xhemi Shehu dhe Salsano Rrapi.