Një ngjarje e dyshimtë ka ndodhur mëngjesin e kësaj Krishtlindjeje në një fugon të linjës Tiranë-Vlorë në Qerret të Kavajës.
Ngjarja është raportuar nga një prej personave që ka përjetuar vetë në kurriz gjithçka. Ai tregon se ishin duke udhëtuar në mënyrë të qetë, kur një burrë rreth të 50-ave u ngrit një herë në këmbë.
“Vëllezër, më njihni mua?, - kështu tha burri dhe më pas u ul”, - tregon raportuesi për Jeta Osh Qef. Ai shton se më pas burri u ngrit sërish dhe pasi iu afrua shoferit, i tërhoqi atij timonin, çka bëri që shoferi të manovronte brenda shumë pak kohe dhe automjeti të përplasej me trafikndarësen.
“Shoferi manovroi me timon. Kur tërhoqi timonin tha “do ju vdes të gjithëve. Allahu Ekber tha direkt”, - shkruan qytetari. Ai bën me dije se pas këtij veprimi kanë ardhur në vendngjarje forcat e policisë, ndërsa fatorinoja i fugonit nisi të dhunonte 50-vjeçarin.
Fatmirësisht dëmet e shkaktuara janë vetëm materiale. Raportuesi shton se policia shoqëroi fatorinon, shoferin e fugonit si dhe personin rreth të 50-ave, i cili fillimisht tentoi të arratisej duke ikur me vrap.
Gjithë pasagjerët e tjerë janë shoqëruar në komisariat, ku pritet të japin dëshminë e tyre në lidhje me atë që kanë parë.