INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pasi ofendoi tifozët e Partizanit, reagon Bakaj: Nuk lejoj askënd të më shajë familjen [FOTO]

Pasi ofendoi tifozët e Partizanit, reagon Bakaj: Nuk lejoj askënd të më shajë familjen [FOTO]

Publikuar më: 20:51 20-02-2018

Sulmuesi i Kukësit, Elis Bakaj ka reaguar pas incidentit që pati me tifozët e Partizanit, të cilëve u tregoi gishtin e mesit. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, Bakaj thotë se gjesti i tij u drejtohet 2-3 personave, të cilët e ofenduan rëndë nga familja gjatë gjithë ndeshjes kundër Partizanit, ndërsa akuzon arbitrin e ndeshjes, Kridens Meta se nuk mori masa për të ndaluar ofendimet ndaj tij.

Reagimi i plotë i Bakajt:

E ndiej si detyrim, në respekt ndaj jush, të shpjegoj situatën e ndodhur në ndeshjen e djeshme ndaj Partizanit. Në radhë të pare dua të sqaroj “përplasjen” e sajuar me z.Olsi Rama. Dua ta falënderoj atë për këshillat që më dha në ato moment, kur e kisha humbur kontrollin. Me qytetari dhe kulturë pata një bashkëbisedim me drejtorin e Partizanit. Ai me të drejtë më tërhoqi vëmendjen për veprimet e mia dhe, pasi unë i shpjegova arsyet, më tha të futesha në dhomat e zhveshjes. Pra, nuk ka patur asnjë përplasje mes meje dhe z.Rama. Do t’iu lutesha mediave të mos sajojnë dhe amplifikojnë, për më tepër të mos politizojnë. Sa i takon momentit tim të nervozizmit, dua të sqaroj se, pa filluar ende loja, jam ofenduar në kor nga familja. Ta dëgjosh është e lehtë, por nëse vihesh për 1 sekondë të vetme në pozitat e mia, atëherë gjithsecili prej jush do të më kuptojë më mirë.

Gjithsesi, kjo nuk justifikon sjelljen time antisportive për të cilën mbaj përgjegjësi të plotë para gjithkujt, por me mbingarkesën psikologjike që kisha nga ofendimet konstante gjatë gjithë ndeshjes, reagova në atë mënyrë. Dua të sqaroj se reagimi im ishte ndaj 2-3 personave në tribunën qendrore të “Selman Stermasit”, të cilët po me shanin si individ gjatë gjithë kohës, edhe në momentin e zëvendësimit. Për më tepër aty ndodheshin edhe familjarët e mi, që janë konfliktuar (jofizikisht) me këta tifozë. Unë durova dhe nuk reagova ndaj pjesës përkarshi të tifozëve, që po më ofendonte pa ndalim. Por, në atë moment, të shikosh 2-3 individë që të ofendojnë familjen, nuk e pranoj. Nuk lejoj askënd të prekë familjen time. Atë, si çdo person tjetër, e kam të shenjtë.

Nuk është shenjë frike, as servilizmi, por në jetë mund të ndryshosh gjithçka, veç të kaluarës tënde. Shikoj shumë tifozë që më sulmojnë sikur kam harruar Partizanin. Jo, Partizanin e kam në konsideratë! Aty mësova “abetaren” e futbollit! Por, më thoni çfarë të bëj nëse luaj për një skuadër tjetër, të mos i shënoj Partizanit?! Të gëzohem, kur ata më ofendojnë? Reagimet e mia janë të provokuara dhe imponuara nga të tjerë. Përse arbitri nuk e ndali lojën kur kishte thirrje masive ofenduese ndaj meje? Po nëse shahej familja e tij, a do ta ndërpriste ndeshjen? Unë nuk dua të marr shembuj të lojtarëve botërorë, që kanë bërë veprime të të tilla. Padyshim kam gabuar me atë reagim, por nuk isha shkaku, isha pasoja e provokimeve të pandalshme ndaj meje dhe familjes sime. Në karrierën time sportive jashtë Shqipërisë mund të analizoni që s’kam patur asnjë veprim antisportiv.

Gjithashtu, edhe kartonët e verdhë kanë qenë të minimizuar, të kuqtë s’janë diskutuar fare. Edhe në ekipet kombetare kam patur sjellje korrekte, asnjë përplasje. Mund të kem bërë veprime të gabuara në të kaluarën time, kur isha ende i ri në moshë, por tani kam reaguar për diçka madhore, për familjen time, ndaj nuk kam asnjë pishman ndaj atyre që më prekin gjënë më të shtrenjtë që kam. Respektoj tifozët e vërtetë, por jo ata që vijnë në stadium me motivin e vetëm për të më ofenduar mua. Duke lënë veç gjithçka, edhe motivin e fortë që kisha për atë reagim, u kërkoj ndjesë shokëve të skuadrës dhe klubit tim, pasi mund të mungoj në ndeshjet e radhës.
Elis Bakaj

bakooj.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0037679672241211