INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Patozi ironizon Berishën: “Të falenderojmë krijuesin që na ktheu Lulzim Bashën”

Patozi ironizon Berishën: “Të falenderojmë krijuesin që na ktheu Lulzim Bashën”

Publikuar më: 12:57 09-09-2017

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi ka ironizuar keqazi liderin historik të partisë Demokratike, Sali Berishën pas deklaratës që ky i fundit bëri sot përpara Kuvendit të Shqipërisë ku u shpreh se mungesa e kryetarit të opozitës në legjislativin e kaluar kishte qenë një gabim.
“Sot mësova me habi se mungesa e Lulzim Bashës në parlamentin e 4 viteve të shkuara paska qenë gabim. Zakonisht në raste të tilla kërkohet falje, por ky nuk është ndonjë zakon që pëlqehet shumë në Shqipëri. Por nëse ishte vërtet kështu, kujt duhet t'ia dimë për nder që na e bëri këtë gjëmë, njeriut apo Zotit?” shkruan Patozi duke shigjetuar direkt ish-liderin historik të Partisë Demokratike. “Atij vetë, që vajti e u "internua" si kryetar i Bashkisë së Tiranës, atyre që e propozuan, atyre që e mbështetën dhe e votuan si të tillë, apo kundërshtarëve që nuk ndryshuan rregullat, kur erdhën në pushtet?”-pyet Patozi. Tonet tallëse të ish-deputetit demokrat, vijojnë me shprehjen “me sa po thuhet parlamenti shqiptar nuk mund t'u kuptoka kurrë pa Lulzim Bashën. Dhe Shqipëria e paska vuajtur shumë mosqenien e tij”. Aludimet për liderin e vërtët të PD-së të hedhura qysh në emërimin e Bashës si kryetar i PD-së ndizen sërish në këtë shkrim. “Por ja që, si gjithmonë, Zoti vonon, por nuk harron. Tani Lulzim Basha është rikthyer, gabimi është ndrequr më në fund dhe Shqipëria thjesht duhet të falenderojë krijuesin dhe duhet të presë frutet e shpejta të kësaj mrekullie”-shkruan Patozi.

Article Logic
Execution time: 0.0033280849456787