INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Patozi: Na duhet një Prokurori, e marrim me qira apo e japim me koncesion?

Patozi: Na duhet një Prokurori, e marrim me qira apo e japim me koncesion?

Publikuar më: 13:46 23-05-2018

Ish-numri dy i demokratëve Astrit Patozi ka komentuar situatën në të cilën është përfshirë gjithë politika shqiptare pas shfaqjes së audiove dhe video-përgjimeve të cilat pretendohet se i janë bërë vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj. Patozi deklaron se situata është paradoksale e se në vend nuk ka Prokurori fare. Madje demokrati nuk lë pa shigjetuar liderët e partive me të mëdha në vend duke i etiketuar ata “si gjela maji plehut’ që i hakërrehen njëri tjetrit.
Astrit Patozi
Është më keq seç duket, nuk kemi prokurori fare
Sot gjendemi në situatën paradoksale, kur njëra palë thotë se më në fund kemi prokurorinë që duam, kurse tjetra që kjo është më e keqja në Shqipëri, që nga koha e Ismail Qemalit, sepse e ka futur të gjithën në thes "Sulltani".
Të dyja palët ia fusin kot dhe nuk thonë të vërtetën, sepse në fakt ne nuk kemi prokurori fare.
Sepse po të kishim, të paktën do ta merrnim shpejt një përgjigje në është autentik apo falso "Babalja".
Do të ishte minimumi për të krijuar një ide paraprake ndaj një çështjeje shumë sensitive, që mban pezull zhvillimet politike dhe sociale në vend.
Do t'i jepte mundësinë publikut që të paktën të mos shikonte sërish këtë shfaqje të shpifur me dy gjela majë plehut, që i hakërrehen njëri-tjetrit, por vetëm njërin prej tyre.
Në kushtet e mosbesimit të plotë nga njëra palë, po të kishim prokurori, kjo e fundit do të kishte pajtuar me kohë agjencinë më të specializuar perëndimore në lëmin e përgjimeve dhe nuk do të shtynte ditët kot me procedura rutinë dhe thirrje dëshmitarësh. Natyrisht, ka nga ata që thonë se qeveria e kap lepurin me qerre dhe na duhet veç të presim e të shikojmë. Por në ka një rast në botë që nuk duhet humbur asnjë sekondë, nëqoftëse pretendojmë për shtet, është pikërisht ky. Sepse është njësoj si të shkojë në spital dikush, që i ka plasur apandesiti, dhe të mos e fusin në sallë të operacionit, por t'i japin paracetamol për t'i qetësuar dhimbjet. Dhe kur prokurori nuk ka, si i bëhet, e marrim me qera apo e japim me konçension?

Article Logic
Execution time: 0.0036609172821045