INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Patozi përballë Bashës: Kërkoj rregulla të pastra loje

Patozi përballë Bashës: Kërkoj rregulla të pastra loje

Publikuar më: 18:06 01-07-2017

Astrit Patozi është zyrtarisht kandidat për kryetar të ri të Partisë Demokratike.

Megjithatë, në një deklaratë për shtyp nga selia blu, ish-deputeti tha se ky vendim i tij kushtëzohet në radhë të parë nga kërkesa për dorëheqjen e liderit demokrat Lulzim Basha.

Patozi tha  se Basha duhet të largohet si përgjegjësi kryesor i humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit.

Kështu, se Basha duhet të vendoset në garën për kryetar i barabartë me të gjithë kandidatët.

Patozi kërkoi largimin e Bashës nga selia e PD-së së bashku me stafin e tij, e po ashtu edhe të gjithë kandidatëve, derisa të përfundoi procesi për zgjedhjet brenda PD-së.

“Deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj për kryetar të PD nëse do ketë garanci për zgjedhje të lira, të ndershme e të pandikuara. Në emër të mijëra demokratëve që më mbështesin kërkoj rregulla të pastra loje, dorëheqje të menjëhershme të kryetarit Basha si përgjegjësi kryesor për humbjen në zgjedhje, largimin e tij nga zyra bashkë me stafin e vetë dhe çlirimin e selisë nga të gjithë kandidatët derisa të mbahen zgjedhjet”, u shpreh  Patozi.

Për Patozin, këto kërkesa janë garancitë minimale që të shkohet në një proces të drejtë e gjithëpërfshirës në zgjedhjet në PD.

“Ndaj ftoj Lulzim Bashën të dalë mbi ambicjet personale dhe të veprojë në të mirë të interesave të PD”, tha ai, duke rezervuar edhe një paralajmërim për Lulzim Bashën. “Në rast se kërkesat tona nuk do të plotësohen ai do të marrë përgjegjësinë për hedhjen në erë të Partisë Demokratike. Në kushte të tilla të gjithë demokratëve u lejohet të mos pranojnë farsën e zgjedhjeve për kryetar”.

Ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, kërkoi gjithashtu që të shpallet nul vendimi i dy nënkryetarëve Edmond Spaho dhe Edi Paloka për t’i mbajtur zgjedhjet më 22 korrik.

Një kërkesë surprizë e tij ishte ajo për përjashtimin nga e drejta e votës të anëtarësisë që sipas Patozit janë bërë në kundërshtim me Statutin e PD-së. Dhe për këtë, kërkoi që Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, të fusë në “sitë” të gjithë data-bazën e anëtarësisë.

“Sekretari i përgjithshëm të marrë nën kontroll database-n e anëtarësisë, në mënyrë që anëtarësimet në kundërshtim me statutin të mos kenë mundësi të votojnë. Gjithashtu, kërkohet kohë e mjaftueshme debati, analize e reflektimi, si dhe kohë për të bërë fushatë”, tha Patozi.

Kryetari i ri i PD-së do të zgjidhet përmes parimit një anëtar, një votë.

Article Logic
Execution time: 0.0036230087280273