INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
PD akuzoi Xhafajn se ndryshoi nenin e ekstradimit. Reagon BE

PD akuzoi Xhafajn se ndryshoi nenin e ekstradimit. Reagon BE

Publikuar më: 08:18 16-05-2018

Pas akuzave të përsëritura të Partisë Demokratike se Fatmir Xhafaj në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar të ligjeve, ka ndërhyrë duke bërë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale ka reaguar delegacioni i BE-së në Tiranë. Duke ju përgjigjur interesimit të “Zërit të Amerikës” lidhur me debatin e hapur mbi ndryshimin e nenit për ekstradimet në Kodin e Procedurës Penale delegacioni i BE-së sqaroi se “ka pasur variante të ndryshme rreth Nenit 491 (f) të Kodit Penal, që janë diskutuar nga Grupi i Punës për Rishikimin e Kodit të Procedurës Penale, pjesë e të cilit ka qenë edhe Euralius deri në miratimin e ndryshimeve të Kodit më 30 mars 2017. Në fakt gjithë procesi i Reformës në Drejtësi dhe paketa e ligjeve shoqëruese u asistua nga misioni europian Euralius. Thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve, përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar të Nenit 491 (f) të Kodit”. Debati u hap nga Partia Demokratike e cila po kërkon dorëheqjen e Fatmir Xhafaj pasi vëllai tij rezulton të jetë arrestuar në Itali në vitin 2002.  Demokratët nxorën dokumente që tregojnë dënimin e tij me 7 vjet e dy muaj burgim për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës. Sipas opozitës, zoti Xhafaj ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim që sipas opozitës mbron direkt të vëllanë e tij, gjë e cila është hedhur poshtë nga socialistët. Pika që është shtuar në nenin për ekstradimet, dhe që është aktualisht në fuqi, parashikon se ekstradimi nuk mund të kryhet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”. Sipas opozitës një formulim i tillë “pamundëson ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit, si dhe pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge”. Në shpjegimin dhënë “Zërit të Amerikës”, Delegacioni i BE-së shprehet se “Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës. Kjo masë është në përputhje me standartet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian. Kodi garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit.” Delegacioni i BE-së shton se “Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu Konventën Europiane mbi Transferimin e Procedimit të Çështjeve Penale, një tjetër alternativë për ekstradimin, për rastet kur zbatohet Neni 491 (f) i Kodit”, përfundon shpjegimi i Delegacionit të BE-së.

Article Logic
Execution time: 0.0040450096130371