INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
PD kundër parkut të lojrave tek liqeni. Reagon Bashkia e Tiranës…

PD kundër parkut të lojrave tek liqeni. Reagon Bashkia e Tiranës…

Publikuar më: 10:11 28-03-2016

Partia demokratike ka dalë kundër ndërtimit të parkut të lojrave tek liqeni. Për këtë arsye ka dalë disa herë në protesta dhe këtë të hënë ka nxjerrë për të folur deputetin Gert Bogdani, i cili ka dënuar dhunën e protestuesve nga policia bashkiake për protestën kundër ndërtimit brenda parkut të liqenit.
Ai tha se kryebashkiaku Erion Veliaj ka gënjyer qytetarët për projektin në fjalë, pasi deklaroi se nuk do të pritet asnjë pemë dhe nuk do të ketë betonizim, gjë që deri tani është konfirmuar e kundërta. Bogdani shtoi se do të ketë një tjetër protestë këtë të hënë tek parku i liqenit për të kundërshtuar punimet e Bashkisë së Tiranës.

Pjesë nga fjala e Bogdanit:

“Projekti i Veliajt për parkun është tradhti ndaj qytetarëve dhe një shkelje e gjithanshme e ligjit sepse, nuk ka bërë asnjë konsultim publik ashtu si e parashikon ligji. Nuk ka një projekt përfundimtar, por një projekt që ndryshon sipas rastit, kundër çdo parimi ligjor. Nuk ka leje mjedisore e as studim mjedisor. Gënjeu kur tha që s’do pritet asnjë pemë, sepse pemët u prenë. Gënjeu kur tha s’do ketë beton sepse 31 betoniera janë derdhur deri tani mu në zemër të parkut. Gënjeu për lokalin, sepse lokali ishte tenderuar dhe ishte i publikuar në faqen publike të tenderave. Mashtron njerëzit dhe veten nëse mendon se shkarpat dhe fidanet 500 lekësh që mbjell poshtë e lart me 100 media nga mbrapa, do munden ta mbulojnë shkatërrimin me beton të mushkërisë së vetme të Tiranës. I bëjmë thirrje të përsëritur prokurorisë, të veproje për denoncimet e njëpasnjëshme, që janë bërë për këtë çështje nga PD dhe nga qytetarët. I bëjmë thirrje çdo institucioni përgjegjës që të mos bëhet pale në këtë mashtrim antiligjor dhe shkeje flagrante ligji nga të gjitha anët! Rezistenca dhe beteja e qytetarëve të Tiranës për Parkun e tyre do të jetë edhe më e fortë dhe më e vendosur. Partia Demokratike e dënon ashpër dhunën brutale ndaj protestuesve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, dy netë më parë, nga drejtuesit e policisë së Veliajt, dhe i siguron ata se do të mbajnë përgjegjësi për paligjshmërinë ku janë zhytur.”
Pas kësaj konference ka reaguar menjëherë dhe bashkia, ku mes të tjerash thekson se Partia Demokratike është organizatoria e protestave dhe pengon punën për ndërtimin e ndërtimin e këndit të lojrave brenda parkut të liqenit. Bashkia është e vendosur kur thotë se akush nuk do ta ndalë ndërtimin e “lojrave”.

Reagimi i Bashkisë së Tiranës:

“Partia Demokratike qëndron e vendosur të hyjë në histori si monument politik për vandalizmin dhe shkatërrimin e pronës publike. Pasi lejoi 100 ndërtime pa leje brenda në Park – lavazhe, parkingje, motele, hotele, bujtina, hane, kafe, bare, restorante, bingo, baste e kazino, pasi lejoi qindra banesa në bregun jugor të Farkës, duke shkaktuar disa herë rrëshqitje të kodrave përreth, pasi dha lejen nga Lulzim Basha për 220 mijë m2 ndërtim 17 katësh në digën e Liqenit, sot kinse përdëllehet për Parkun. Çfarë hipokrizie patetike!
Tirana është lodhur me këtë tufë vulgare. E kishin mundësinë të qeverisnin 4 vjet qytetin, por e rrënuan. Tirana do bëhet! Ndërtimet e tyre pa leje në liqen do të prishen, siç u janë prishur zaptimet te stadiumi Dinamo e tek Opera. Po ju prishen interesat private, për interesin publik të Tiranës. Ndaj jam i vendosur që Tirana të mos humbasë më kohë. Pas çerdheve, këtë vit vazhdojmë me kopshtet, e pas tyre shkollat. Do përfundojmë me dy unazat dhe Bulevardin. Do mbarojë shumë shpejt Pazari i Ri, e do nisë shumë shpejt Sheshi Skënderbej. Historia nuk do na falë nëse e lëmë Tiranën si në mesjetë prej një bande vandalësh. Tirana nuk është Palmira – të paktën për shumicën dërrmuese që vendosi ta çojë në drejtimin e duhur, e të kërkojë një Bashki 24/7 në punë. Jam i bindur se veç puna na nxjerr në dritë, e ndaj veç me punë do t’i përgjigjemi dhunës.”

Article Logic
Execution time: 0.0037782192230225