PD ka publikuar një dokument ku pretendohet se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar në flagrancë në Greqi me para të falsifikuara. Prokuroria ka kërkuar 10 vjet burg, por sipas PD, pasi gjykata greke nxori urdhrin e arrestit, Agim Kajmaku u arratis nga Greqia dhe erdhi në Shqipëri.
Bardhi lexoi një vendim të Prokurorisë dhe Gjykatës së Janinës, 19 qershor 2003, sipas të cilit rezulton se “Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto, është arrestuar në Janinë më 14 janar 2003 për veprën penale përdorim dhe shpërndarje të kartëmonedhave të falsifikuara”
“Sipas këtij dokumenti rezulton se Agim Kajmaku është arrestuar në flagrancë në shtetin grek më 14 janar 2003 për monedha të falsifikuara. Agim Kajmaku ka përdorur identitet të rrëmë. Sipas prokurorisë greke, Agim Kajmaku duhej të dënohej me të paktën 10 vjet burg. Gjykata vendosi arrest me burg të menjëhershëm për Agim Kajmakun. Vendimi i gjykatës për arrestimin e Kajmakut nuk u ekzekutua sepse Kajmaku u arratis nga Greqia dhe erdhi në Shqipëri. Pasi erdhi në Shqipëri ai ndryshoi identitetin. Sipas legjistlacionit grek arrestimi u pezullua deri në gjetjen e adresës së tij.
Urdhri i arrestit nuk u ekzekutua pasi Kajmaku nuk u gjend në Greqi. Agim Kajmaku i është shmangur drejtësisë greke, ai ka të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësi. Kjo provon se Agim Kajmaku nuk mund të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut”, deklaroi Gazmend Bardhi.