INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
PD: Parlamenti po miraton dy koncesione kriminale, Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat

PD: Parlamenti po miraton dy koncesione kriminale, Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat

Publikuar më: 13:57 18-07-2019

Partia Demokratike denoncoi koncesionet që po miratohen këtë të enjte në parlament, konkretisht Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat.

Albana Vokshi nëpërmjet një dalje për mediat nga selia blu tha se Edi Rama po miraton në parlamentin e tij ilegjitim dy koncesione me vlerë 328 milionë euro për dy rrugë me gjatësi vetëm 31 kilometra.

“Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vjedhura, në bashkëpunim me krimin, po noterozon sot një tjetër grabitje të madhe të shqiptarëve për të pasuruar miqtë personalë të Edi Ramës. Janë 328 milionë euro për dy rrugë me gjatësi vetëm 31 kilometra, afërsisht sa distanca mes Tiranës dhe Durrësit.

Thënë ndryshe, me vendimin e sotëm kriminal të këtij parlamenti ilegjitim, 1 kilometër rrugë, do t’i kushtojë popullit më të varfër të Europës 10.5 milionë euro. Kompania që përfiton pjesën e luanit, prej 258 milionë euro për 17 kilometra të rrugës fushore Milot- Balldre është ajo e Ndue dhe Agim Kolës, të njohur për lidhjet e ngushta familjare me Edi Ramën. Ndërsa kompania tjetër, Gjikuria, e koncesionit për Orikum – Dukat, njihet për numrin e madh të tenderave publikë që ka përfituar gjatë qeverisë së Edi Ramës"u shpreh Vokshi.

Sipas Vokshit, këto dy rrugë janë pjesë e projektit kriminal “1 miliardë euro”, që po e shndërron Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista.Vokshi tha se këto koncesione do të zhbëhen që në ditën e para që kjo force politike do të jetë në pushtet.

Article Logic
Execution time: 0.0024809837341309