INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
PD thërret me urgjencë në interpelancë ministrin Gjiknuri për çështjen e inceneratorëve

PD thërret me urgjencë në interpelancë ministrin Gjiknuri për çështjen e inceneratorëve

Publikuar më: 12:16 11-02-2018

Partia Demokratike kërkon me urgjencë për interpelancë ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri lidhur me çështjen e inceneratorëve. Nëpërmjet një kërkese, PD, i kërkon ministrit Gjiknuri të japë llogari me qëllim marrjen e një informacioni të plotë mbi atë që opozita e quan skandalin e procedurave të koncesionit të inceneratorëve.

Kërkesa e PD-së

Përpara disa javësh kryetari i opozitës si dhe deputetë të tjerë kanë denoncuar këto veprime arbitrare që janë tërësisht të paligjshme dhe që ndikojnë në shëndetin e qytetarëve, por edhe në buxhetin e shtetit. Konkretisht, rezulton se një individ i vetëm i ndërlidhur me disa kompani në mënyrë të tërthortë apo të dukshme ka qenë përfituesi i vetëm i tre inceneratorëve. Gjithashtu, vërehet se praktika e ndjekur nga qeveria për dhënien e koncesionit në fjalë është abuzive, pasi është kompania e krijuar pak ditë përpara fitimit të këtij koncesioni që ka paraqitur një propozim të pakërkuar, dhe kompania nuk ka asnjë kontratë të ngjashme në këtë sektor. Duke ngritur kësisoj hije dyshimi mbi mënyrën e dhënies së tij. Sakaq, njëra prej kompanive që ka fituar koncesionin e inceneratorëve është e regjistruar në Parajsat Fiskale të Vendeve të Ulëta (Holandës) duke shtuar edhe më dyshimin për një aferë korruptive që do të ketë pasoja të rënda jo veç në financat e buxhetit të shtetit, por edhe në shëndetin e shqiptarëve. Sot, kompania që ka fituar në mënyrë të dyshimtë koncesionin e inceneratorëve ka përfituar nga buxheti i shtetit 5.2 milionë euro për impiantin e mbetjeve në Fier, ndonëse ky i fundit nuk ka nisur akoma punën e banorët janë në protestë. Gjithashtu nga të dhënat e kontratës të bëra publike rezulton se qeveria do të detyrojë OSHEE që të blejë me një çmim të përcaktuar energjinë nga ky ent. Rrjedhimisht, shoqëria koncesionare do të përfitojë edhe nga shitja e energjisë elektrike, përpos përfitimeve të tjera, duke rënduar eventualisht edhe me rritjen e çmimit të energjisë për publikun. Rreth këtij skandali të përmasave të paimagjinueshme nuk ka pasur asnjë reagim në përputhje me detyrimet që i burojnë nga ligji nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjithashtu na duhet të vëmë në dukje se ministria nuk i është përgjigjur shkresave të drejtuara nga deputetët e opozitës duke e thelluar edhe më skandalin. Deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për heshtjen e pashpjegueshme dhe të paargumentuar të autoriteteve përgjegjëse. Në vlerësimin tonë, është detyrë e Kryeministrit dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit së një vendi kandidat për në Bashkimin Europian, që të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik dhe mbi të gjitha të bëjë transparente për kuvendin dhe publikun kushtet në të cilat janë zhvilluar procedurat dhe si janë lidhur e termat e kontratave.
Në këto kushte, në përputhje me nenin 97 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Një Kryetar grupi parlamentar ose 7 deputetë mund të kërkojë zhvillimin e një interpelance për çështje urgjente”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë mbi skandalin e procedurave të koncesionit të inceneratorëve, që kapin vlerën e miliona eurove dhe rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve.

Article Logic
Execution time: 0.0036590099334717