INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përcaktohen tarifat, ja sa do të paguajnë studentët në universitete

Përcaktohen tarifat, ja sa do të paguajnë studentët në universitete

Publikuar më: 19:12 24-05-2018

Qeveria ka vendosur tarifat tavan, që duhet të paguajnë studentët për të ndjekur studimet e larta, e bashkë me të edhe detyrimet e tjera monetare për llogari të universitetit.

Më konkretisht, bëhet fjalë për boshtin e rregullave, që do të ndiqen nga institucionet e arsimit të lartë për mbetësit vjetorë në një lëndë, si dhe ata që transferojnë studimet. Ashtu siç edhe është komunikuar më herët, studentët e shkëlqyer do të kenë trajtim favorit, në rast se dëshirojnë të ndjekin një program të dytë studimi. Bazuar në ligjin e ri për arsimin e lartë, universitetet gëzojnë autonomi të plotë financiare, duke përcaktuar vetë si kuotat dhe tarifat.

Por, kjo nuk është lënë tërësisht në dorën e tyre. Këto të fundit, assesi, nuk duhet të jenë mbi tavanin e parashikuar nga qeveria. Deri më tani, të ardhurat e vjela nga tarifat e studentëve kanë qenë burimi kryesor i financimit. Në ligj, burimet janë më të diversifikuara, duke përfshirë veç pagesave të studentëve, edhe veprimtari kërkimore-shkencore, donacione, të ardhurat e krijuara nëpërmjet palëve të treta, shërbime të kryera apo financime nga fonde të specializuara.

VENDIMI

Sa i takon shumës vjetore që një student duhet të shlyejë në këmbim të ndjekjes së studimeve, rregulli është i thjeshtë: për çdo vit akademik paguhet një tarifë vjetore. Në rast se përsëritet viti, tarifa vjetore paguhet sërish. “Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti, i cili në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik vjen si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet”, citohet në vendim.

Qeveria ka parashikuar edhe rastet kur studentët ngelin në më shumë se një lëndë, por kanë kredite të mjaftueshme për të kaluar në vitin pasardhës. Në këtë rast, ai i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kreditet, për aq lëndë sa po rindjek, përveç shumës vjetore për vitin akademik.

AFATI PËR UNIVERSITETET

Që në muajin prill, kur kandidatët për studentë nuk kanë përcaktuar ende drejtimin që do të marrin, ata kanë të drejtë të njihen me tarifat vjetore që do të paguajnë, në rast se fitojnë degën e dëshiruar. Këtë e përcakton vendimi i qeverisë, i cili njeh dhe përjashtime për raste të veçanta që nuk mund të shkojnë më afër se 3 muaj nga fillimi i vitit të ri akademik. “Institucionet publike të arsimit të lartë, brenda muajit prill, por, në çdo rast, jo më vonë se 90 ditë para fillimit të vitit akademik, me vendim të organeve kolegjiale, miratojnë tarifën vjetore të shkollimit për çdo program studimi, brenda kufirit maksimal të përcaktuar në këtë vendim. Tarifat vjetore të shkollimit, të miratuara me vendim të bordit të administrimit bëhen publike në faqen zyrtare të institucioneve publike të arsimit të lartë”.

VENDIMI PER TARIFAT

MIRATIMIN E KUFIRIT MAKSIMAL TË TARIFËS VJETORE TË SHKOLLIMIT PËR STUDENTËT QË NDJEKIN STUDIMET NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, NË NJË PROGRAM TË CIKLIT TË PARË TË STUDIMEVE, NË NJË PROGRAM TË INTEGRUAR TË STUDIMEVE OSE NË NJË PROGRAM TË STUDIMEVE PROFESIONALE ME KOHË TË PLOTË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Kufiri maksimal i tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë, pasqyrohet në tabelën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Institucionet publike të arsimit të lartë, brenda muajit prill, por, në çdo rast, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë para fillimit të vitit akademik, me vendim të organeve kolegjiale, miratojnë tarifën vjetore të shkollimit për çdo program studimi brenda kufirit maksimal të përcaktuar në këtë vendim. Tarifat vjetore të shkollimit, të miratuara me vendim të bordit të administrimit, bëhen publike në faqen zyrtare të institucioneve publike të arsimit të lartë.

3. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.

4. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet. /Panorama

Article Logic
Execution time: 0.0036540031433105