INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përfundon ndërtimi i rrugës “Hermann Gmeiner” në Sauk, i njëjti standard si në qendër

Përfundon ndërtimi i rrugës “Hermann Gmeiner” në Sauk, i njëjti standard si në qendër

Publikuar më: 12:14 07-07-2017

Nga një zonë e harruar, e mbuluar nga balta, mijëra banorë të Saukut kanë një rrugë të re. Bashkia e Tiranës përfundoi në një kohë të shkurtër investimin për ndërtimin lotit të dytë të rrugës “Hermann Gmeiner”, e cila ndodhet në pjesën lindore të qytetit të Tiranës, një zonë me ndërtime kryesisht të reja pas viteve ‘90.Ndërkohë, segmenti i parë i kësaj rruge përfundoi në shkurt të këtij viti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ashtu si Saukun, investimet do të prekin çdo lagje të kryeqytetit. “Sot nuk jemi në Bllok, por po të shohësh rrugën si është shtruar, asfaltuar, si janë bërë kanalizimet, trotuaret, si janë vendosur stolat, si janë mbjellë ullinjtë dhe bari, do të thotë që po punojmë me të njëjtin standard në çdo cep të Tiranës. Çdo rrugë, çdo trotuar, çdo stol, pemë e mbjellë rrit vlerën e gjithë banorëve, e shtëpive dhe gjithë lagjes. Sot kemi rrugë të reja në Saukun e Vjetër, ku vetëm emri ka mbetur i tillë sepse çdo gjë tjetër po investohet e re, duke nisur nga palestra e shkollës “Ibrahim Brahja”, deri tek investimet në infrastrukturën rrugore”, tha Veliaj.

Ai siguroi banorët se investimet në këtë zone do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit. Sipas Veliajt, paralelisht me procesin e legalizimit që po ecën me ritme të shpejta, do të punohet edhe për urbanizimin e këtyre zonave të cilat janë populluar pas viteve ‘90. “Duke qenë se qeveria ka ecur shpejt me procesin e legalizimit, tani Bashkia ka radhën me procesin e urbanizimit. Kjo është e vetmja mënyrë se si ecim përpara. Kemi përgatitur gjatë gjithë kësaj vere ndërhyrje në mbi 80 rrugë në të gjithë zonën e Tiranës periurbane, pra jashtë zonës së qendrës, dhe besoj se në shtator, kur shumë qytetarë të kthehen nga pushimet, do të gjejnë një situatë krejt tjetër”, deklaroi kryebashkiaku.

I rrethuar nga banorë të zonës të cilët i shprehën mirënjohjen për investimet që po realizohen në këtë zonë, Veliaj tha se ndërtimi i rrugës “Hermann Gmeiner” është tregues i vizionit të Bashkisë së Tiranës për punuar çdo ditë dhe i mbajtjes së premtimit për përmirësimin e jetës së qytetarëve. “E di që njerëzit janë dyshues, kanë parë politikanë që vijnë për fushatë, pastaj me të mbaruar fushata zhduken e i harrojnë njerëzit. Me këtë dua të provoj se nuk i harrojmë njerëzit. Për ne është çdo ditë fushatë, çdo ditë punohet sikur të ishte fushatë. Mënyra më e mirë për të ecur përpara është të shfrytëzojmë gjithë këtë kohë gjatë verës, kur njerëzit largohen me pushime, që të kemi mundësi të shtrojmë asfalt, të investohemi në infrastrukturë. Besoj se kjo është mënyra me mirë se si mbajmë premtimet që kemi dhënë, për të rritur standardin e jetesës në komunitet”, tha Veliaj.

Duke theksuar se investimet e Bashkisë kanë dhënë një impakt pozitiv në rritjen e vlerës së pronës, kreu i Bashkisë u bëri thirrje banorëve që të ruajnë ambientet e përbashkëta. “Dua t’u kërkoj të gjithë banorëve t’i mirëmbajnë, është shumë e rëndësishme që nga ky moment, secili të tregojë kujdes për mënyrën se si mirëmbahet ky territor. Ne duam që kjo të ketë një jetëgjatësi sa më të lartë, kësisoj edhe banesat përreth të kenë një vlerë sa më të lartë në treg, sepse vetëm kështu mundet që gjithë qyteti të ruajë një pamje dinjitoze, por sigurisht që edhe investimet të kenë duk dhe të mund të vijojmë me një lagje tjetër”, u shpreh Veliaj.

Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza, deklaroi se për qytetarët e këtij komuniteti është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme besimi për punën që po bën Bashkia e Tiranës. “Bashkia nuk ka pasur periudhë vere, periudhë dimri, zgjedhje mbas zgjedhje është përditë në punë dhe përditë siç ka thënë dhe e madhja Nënë Tereza, ka bërë nga një punë të mirë. Kështu që, si administrator i kësaj njësie falenderoj Kryetarin e Bashkisë për punën e mrekullueshme që ka bërë pa dallim politik për qytetarët e Tiranës”, theksoi Gjoza.

Veç punimeve sipërfaqësore, në rrugën e re “Hermann Gmeiner” janë kryer edhe punime nëntokësore në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, si dhe është vendosur sinjalistika e duhur dhe ndriçimi.

Article Logic
Execution time: 0.003817081451416