INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përfundon rehabilitimi i plotë i varrezave të Sharrës dhe i rrugëve hyrëse e dalëse

Përfundon rehabilitimi i plotë i varrezave të Sharrës dhe i rrugëve hyrëse e dalëse

Publikuar më: 12:02 10-02-2018

Baltë në dimër e pluhur në verë, kaos makinash, ndërtime pa leje e ambulantë që shisnin ku të mundnin. Kjo ishte panorama që ofronin varrezat e Sharrës deri para pak muajsh. Tanimë, falë investimit të Bashkisë së Tiranës, ato janë shndërruar në një vend dinjitoz prehjeje për ata që nuk jetojnë më, por edhe për njerëzit që vizitojnë të afërmit e tyre. Përveç rikonstruksionit të tre rrugëve kryesore, që i vijnë në ndihmë banorëve të zonës, Bashkia e Tiranës rehabilitoi edhe mjediset e brendshme të varrezave, si dhe ka bërë numërtimin e tyre.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se pas rehabilitimit të varrezave të Tufinës, ky është një tjetër premtim i mbajtur. “Premtuam se në gjysmën e parë të mandatit do të bënim varrezat e Tufinës dhe në gjysmën e dytë ato të Sharrës. Më vjen mirë që ende pa u mbyllur viti ynë i tretë, kemi përfunduar dy projekte shumë dinjitoze për qytetin tonë. Ndonjëherë, në politikë apo edhe në skenën publike, i japim rëndësi atyre që bëjnë më shumë zhurmë, që bërtasin shumë, që çirren më shumë, dhe harrojmë se në fakt detyra e qytetit tonë është të kujdeset jo vetëm për të gjallët, por edhe për ata që kanë dhënë shumë kontribut dhe meritojnë po të njëjtin shërbim e respekt”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai shtoi se projekti ka realizuar ndërhyrjen e plotë në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse në varreza, përfshi kanalizimet, shtresat asfaltike dhe trotuare, si dhe shtrimin e rrugicave të brendshme. “Kemi sistemuar parkingjet, varrezat murale dhe po mundohemi që ky mjedis të jetë sa më dinjitoz. Ndoshta, lehtësojmë pak dhimbjen e të ardhurit në një vend paqeje, prehjeje e meditimi, se sa në një vend të zaptuar e të dhunuar në çdo cep të tij. Mënyra se si do funksionojnë varrezat e Sharrës janë në formën e një Unaze: futemi nga rruga kryesore në Sharrë, pastaj dalim në rrugën “Lekë Zaharia”, që po ashtu është rehabilituar, por edhe për banorët që janë në gjithë këtë zonë, tashmë ka më shumë civilizim, më shumë urbanizim”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se bashkë me projektin e rehabilitimit të varrezave është bërë edhe largimi i të gjitha ndërtimeve pa leje, që ishin bërë pengesë e vazhdueshme për kortezhet apo për lëvizjen e banorëve. “Më vjen mirë që më në fund i kemi kthyer dinjitetin qytetit, duke filluar nga çeku i bebes, që mungonte prej vitesh, deri tek dinjiteti i varrezave. Më vjen mirë që u bë viti i tretë që nuk kemi asnjë ndërtim pa leje në varreza. Jo vetëm që është ndaluar ndërtimi pa leje në qytet, por është dy herë më fyes kur ka ndërtime pa leje edhe në varreza; jo vetëm kaq, por kemi pastruar të gjithë ndërtimet pa leje në rrugët hyrëse”, tha Veliaj.

Ai theksoi se pas rehabilitimit të dy varrezave të qytetit të Tiranës, bashkia do ndërhyjë edhe në varrezat e fshatrave, për t’i dhënë atyre dinjitet. Veliaj u bëri thirrje familjarëve që kanë të afërmit e tyre në varrezat e Tiranës ta përjetësojnë kujtimin e tyre duke mbjellë një pemë. “Dua të ftoj të gjithë qytetarët, të mbjellim pemë! Kemi mjaftueshëm hapësira të vogla në varreza për të mbjellë një selvi, një shkurre dekorative dhe për të kontribuar të gjithë, që edhe në varrezat e Tiranës, si në Tufinë, ashtu edhe në Sharrë, të kemi të njëjtën frymë të gjelbërimit dhe të hijeshisë, ashtu siç kemi bërë në çdo cep të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, krahas investimeve në infrastrukturën rrugore, Bashkia e Tiranës ka vendosur që në këtë vit në çdo investim që kryen të vendosë ndriçim LED.

Article Logic
Execution time: 0.0037920475006104