INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përfundon rikonstruksioni i rrugës së “Oxhakut” në Njësinë 4, përfitojnë 10 mijë banorë

Përfundon rikonstruksioni i rrugës së “Oxhakut” në Njësinë 4, përfitojnë 10 mijë banorë

Publikuar më: 14:15 21-09-2017

Dhjetë mijë banorët e zonës së “Oxhakut” në Njësinë 4 kanë një rrugë të re, me infrastrukturë nëntokësore, ndriçim dhe gjelbërim. Bashkia e Tiranës përfundoi në kohë rekord rikonstruksionin e plotë të Rr. “Imer Ndregjoni”, ose siç njihet ndryshe rruga e “Oxhakut”, që lidh Njësinë 3 me rrugën kryesore të Njësisë 4. I shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet e realizuara, ndërsa theksoi se falë këtij projekti i është dhënë fund problematikës që ajo shkaktonte te banorët dhe drejtuesit e automjeteve.

“Jam shumë i lumtur që kthehem sot dhe shoh këtë punë fantastike në Rr. “Imer Ndregjoni”. Kjo ka qenë një rrugë famëkeqe e Tiranës, rruga e Oxhakut, ku dikush mendohej mirë kur kalonte në verë nga pluhuri dhe nga balta në dimër, kurse sot është një situatë krejt tjetër. Jo vetëm rruga me cilësi më të mirë, por edhe vende të reja të parkimit, hapësira të gjelbra, rregullim fasadash”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ky investim ka sjellë rritje të vlerës së pronës dhe bizneseve në zonë, ndërsa bëri të ditur se bashkia po studion situatën që këtij projekti t’i bëhen edhe ndërhyrje të tjera që mund t’i vinin në ndihmë banorëve. “Kemi një rritje të vlerës së biznesit sepse ka më shumë frekuentim, mjedisi është më i këndshëm. Jemi duke menduar edhe për të vendosur një treg apo një kënd lodrash, ose shtojca të tjera që mund t’i bëhen projektit, për ta bërë rrugën akoma më të mirë”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj tha se ky është vetëm një nga investimet e rëndësishme që bëhen në këtë zonë, pasi paralelisht po punohet edhe në rikonstruksionin e plotë të rrugës së “Dibrës”, për të cilën ai bëri të ditur se do të ndërhyhet edhe për zgjerimin e trotuareve për këmbësorët. “Është një rrugë që lidh dy njësi, 3 me 4, dhe besoj që me ndërhyrjen që do të bëjmë edhe në Rr. e “Dibrës” ku do të tërhiqet edhe muri i Shkollës së Bashkuar për ta bërë më funksional gjithë atë trotuar, pra pa hipur e zbritur disa herë shkallët, që të jetë i aksesueshëm nga të moshuarit, nga ata me aftësi të kufizuar, besoj që e gjithë lagjja konturohet”, u shpreh Veliaj.

Ai u bëri apel qytetarëve që të mirëmbajnë investimet që bënë Bashkia e Tiranës, pasi vetëm kështu krijohet mundësia që të vijohet me të tjera projekte që i vijnë në ndihmë komunitetit. “Duke filluar nga Bregu i Lumit që është një ekstrem i njësisë 4, në kufi me Kamzën ku u hap shkolla “Ardian Klosi” dhe gjithë kompleksi atje me 18 rrugë dhe deri këtu ku fillon rruga, që është në zemër të Tiranës, kemi punuar me të njëjtën cilësi. Ndaj i ftoj të gjithë banorët që ta mirëmbajmë, të kujdesemi. Qyteti nuk është vetëm infrastrukturë, qyteti është edhe kulturë kështu që tani stafeta i kalon banorëve që ta ruajmë me të njëjtin seriozitet investimin me të cilin u bë”, tha Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vëmendjen e treguar për përmirësimin e infrastrukturës edhe në zonat në periferi të Tiranës. Gjylameti theksoi se të tilla investime janë tregues se Tirana është në rrugën e duhur për të qenë një qytet europian që plotëson të gjitha standardet për qytetarët e saj. “Besoj se jemi në rrugën e duhur për ta ndërtuar Tiranën që duam, ashtu siç duhet të jetë një qytet që i ka të gjitha standardet europiane. Duke vazhduar kështu, tregojmë që nuk jemi për të dhënë premtime, por për t’i mbajtur ato, për të qenë pranë qytetarëve, për të arritur që të kemi një vend europian. Falenderoj Kryetarin e Bashkisë që nuk mungon asnjë ditë nga qendra e qytetit edhe në periferi, për të ndërtuar një qytet me të gjitha standardet që duhet të kenë qytetarët”, tha ajo.

Rruga “Imer Ndregjoni” ndodhet në territorin administrativ të Njësisë Nr. 4 dhe shërben si një aks lidhës me Njësinë nr. 3. Në këtë rrugë është punuar në lirimin e hapësirave të zëna, ndërtimin e trotuareve, ndërtimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve, asfaltim, ndriçim, si dhe pajisjen me të gjithë sinjalistikën e nevojshme, çka sjellë rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe të drejtuesve të automjeteve.

Article Logic
Execution time: 0.0034999847412109