INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përfundon rruga e re që lidh fshatin Allushaj me rrugën kryesore të Zall-Herrit

Përfundon rruga e re që lidh fshatin Allushaj me rrugën kryesore të Zall-Herrit

Publikuar më: 13:22 28-08-2017

Në dy vitet në vijim Bashkia e Tiranës do të shtojë ritmin e investimeve në zonat rurale. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi rrugën e re që lidh fshatin Allushaj me rrugën kryesore të Zall-Herrit, ku theksoi se projekti për rikualifikimin e qendrave të fshatrave do të ecë paralelisht me atë për rikonstruksionin e rrugëve, si një mënyrë që investimi të ketë vlerë.


“Sot jam shumë entuziast për rrugën e re të Zall Herrit. Kjo është rruga e radhës pas atyre në Çekrezë, Kasallë, tani edhe në lagjen e Allushëve. Kemi nisur disa projekte për qendrat e fshatrave. E filluam me qendrën e fshatit Qeha, në Petrelë, tani me disa rrugë të reja për komunitetin dhe besoj se në dy vitet e ardhshme, pra në gjysmën e dytë të mandatit, rrugët rurale apo qendrat e fshatrave do t’i trajtojmë si paketë; pra, do të bëjmë disa dhjetra njëherësh, tani që projektet e para kanë dalë me shumë sukses”, tha Veliaj.


Ai shtoi se për këtë qëllim do të hartohet një paketë projektesh të cilat do të zbatohen në vijim në zonat rurale. “Bashkë me të 24 administratorët, do të hartojmë një paketë të të gjithë qendrave të fshatrave dhe rrugëve kryesore, që siç janë akset qendrore, ashtu të jenë edhe lagjet dhe komunitetet ku banojnë qytetarët, me të njëjtën cilësi”, tha Veliaj.


Kryebashkiaku theksoi se edhe ky investim është dëshmi e faktit se për Bashkinë e Tiranës nuk ka dallim mes qytetit dhe fshatit, kur bëhet fjalë për investime dhe për cilësinë e tyre. “Premtimi që kemi bërë para dy vitesh është se do punojmë me të njëjtën cilësi, si në qendër, ashtu edhe në periferi, kështu që dy vitet e para jemi fokusuar në rregullimin e pikave qendrore të Tiranës, sheshi “Skënderbej”, Bulevardi i Ri, Pazari i Ri, këndet e lojrave, Parku Olimpik, parku i Kasharit dhe i Farkës, që janë hapësira të mëdha qendrore. Por është shumë e rëndësishme të kuptojmë se njerëzit nuk jetojnë tërë ditën te sheshi “Skënderbej”. Njerëzit jetojnë në komunitete të tilla, sigurisht që vijnë në Tiranë dhe aksesojnë shërbime dinjitoze të qendrës, por këtë dinjitet duhet ta kenë edhe në periferi”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se falë investimeve, por edhe vizionit të Bashkisë Tiranë, fshati po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, jo vetëm të atyre që duan të kalojnë në fshat, por edhe të investojnë për zhvillimin e bujqësisë dhe në mënyrë të veçantë të agro-turizmit. “Unë besoj se njerëzit do të vazhdojnë ta ruajnë trendin që kemi parë këto vite, të kalimit më shumë kohë në zonat rurale. Disa kanë filluar një biznes, siç shihni serat apo fushat e mbjella; disa të tjerë kanë krijuar ekonomi të vogla, një mini-fabrikë apo mini-punishte. Kostoja e jetesës, cilësia e ajrit, krahu i punës, janë kushte të favorshme që të punojmë fort me fshatin. Bashkë me qeverinë qendrore kemi një plan shumë ambicioz, për t’i dhënë një marsh të pestë edhe fshatit, ashtu siç u kemi dhënë zonave urbane të Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Rruga e fshatit Allushaj shtrihet në një zonë me ndërtesa private dhe të ulëta, duke u lidhur me rrugën kryesore të Njësisë Administrative Zall Herr. Përveç punimeve në rrugë është bërë edhe rikonstruksioni urës, si dhe i mureve mbajtëse. Rruga është kompletuar me të gjithë sinjalistikën e nevojshme.

Article Logic
Execution time: 0.0035901069641113