Ka përfunduar ndeshja e shumëpritur mes Skënderbeu dhe Partizanit të Beogradit në stadiumin e këtij të fundit, një ndeshje e vlefshme për grupet e Europa League ku ekipi korçar u mposht me rezultatin 2-0.
Pjesa e parë përfundoi 1-0 për Partizanin dhe goli u shënua nga Tosiç në minutën e ’39 pas një goditje perfekte dënimi. Pjesa e dytë nis fort nga të dy palët, por në minutën e ’66 Skënderbeu ra pre e një gabimi trashanik. Gjatë një kombinimi mes Shehit dhe Lilajt, ky i fundit pason pa kuptuar tek Ozegoviç i cili e përcjell tek Tawamba që e ka shumë të lehtë të dyfishojë rezultatin. Golat i dhanë siguri ekipit serb, ndërsa ai korçar duket se humbi qetësinë. Minutat e mbetura dhe katër minutat e dhëna nga gjyqtari i katërt nuk ndryshuan rezultatin. Pas këtij takimi, Skënderbeu pozicionohet i fundit në grup në kuotën e 2 pikëve.