Gianluigi Donnarumma do të jetë një futbollist i Milanit deri në vitin 2021. Portieri 18-vjeçar italian ka hedhur firmën në kontratën që e lidh me klubin kuqezi, i cili është dorëzuar para kushteve që i vuri menaxheri italian.
Pavarësisht deklaratave se nuk do të dorëzoheshin para shantazheve apo se nuk do të bënin çmenduri për një futbollist të kësaj moshe, Fasone dhe Mirabeli kanë pranuar kushtet që i kishte vendosur Raiola.
Mediat italiane raportojnë se portieri do të përfitojë 6 milionë euro në sezon, ndërsa tre javë më parë, Milani deklaroi se ishte absurditet që ai kërkonte më shumë se 4,5 milionë euro në vit, sa i kishin ofruar asokohe.
Njëkohësisht, vëllai i portierit, Antonio, është punësuar si portier i tretë, me një rrogë prej 1 milion eurosh në sezon. Aspak keq po të kesh parasysh se në Serinë A, numërohen me gishta portierët titullarë që marrin një rrogë të tillë.