INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përkeqësohet klima e biznesit në Shqipëri, Lu: Jam i zhgënjyer, pakënaqësi e biznesit me nivelet e taksave

Përkeqësohet klima e biznesit në Shqipëri, Lu: Jam i zhgënjyer, pakënaqësi e biznesit me nivelet e taksave

Publikuar më: 14:23 22-03-2018

Indeksi i Biznesit të Dhomës Amerikane, një tregues që publikohet çdo vit dhe mat perceptimin e anëtarëve lidhur me ambientin për të bërë biznes në Shqipëri, është përkeqësuar sërish këtë vit, pas përmirësimit të vitit të kaluar.

Sipas rezultateve zyrtare, Indeksi i biznesit ka shënuar një ulje të lehtë prej 1.33 pikësh, nga 43.78 në vitin 2016 në 42.45 në vitin 2017.

Sërish, anketimi i zhvilluar për Indeksin e Biznesit tregon se anëtarët e Dhomës Amerikane mbeten të shqetësuar për nivelin e taksave, burokracinë qeveritare, monopolet dhe konkurrencën e pandershme, gjetjen e stafeve të kualifikuara vendase dhe nivelin e informalitetit.

Këto kanë qenë edhe për këtë Indeks Biznesi pesë shqetësimet kryesore. Një perceptim aspak pozitiv kanë patur bizneset anëtare të Dhomës Amerikane gjatë vitit 2017 edhe për klimën e brendshme politike, e cila ka rënë me 5.08 pikë si dhe për sigurinë në vend që ka pësuar rënie me 2.37 pikë.

Ambasadori amerikan Donald Lu foli mbi rezultatet duke theksuar: “Ulja e lehtë e Indeksit këtë vit konfirmon se mbetet akoma shumë për t’u bërë, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Legjislacioni, taksat dhe sistemet rregullatore duhet të nxisin një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të drejtë”.

Ambasadori Lu u shpreh optimist përpara anëtarëve se, duke punuar së bashku ne mund të kapërcejmë sfidat e momentit dhe të punojmë drejt një qëllimi më të madh, të bazuar në interesat dhe vlerat tona të përbashkëta.

Zgjedhjet

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka organizuar zgjedhjet për Zëvendëspresident, Përgjegjës për Thesarin dhe Sekretar, si dhe për një Anëtar Bordi, duke sjellë kështu katër anëtarë të rinj në Bord.

Ky proces ka përfshirë në konkurrim dhjetra kompani prestigjioze të Dhomës dhe një shumicë të ndjeshme të kompanive amerikane. Kështu për pozicionin e Zëvendëspresidentit kandiduan Philip Morris Albania dhe Microsoft Albania, mes të cilëve fitues ishte Philip Morris, për Përgjegjës për Thesarin DDB Albania dhe Grant Thornton, nga i cili doli fitues DDB Albania, për Sekretar Hilton Garden Inn dhe për pozicionin vakant të një Anëtari Bordi kanë kandiduar 8 kompani të mëdha. Në përfundim të këtij konkurrimi doli fitues Optima Legal & Financial.

Article Logic
Execution time: 0.0025298595428467