INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përmbytjet/ Reagon Ministria e Mbrojtjes: Kjo është gjendja përtej llafeve e sajesave

Përmbytjet/ Reagon Ministria e Mbrojtjes: Kjo është gjendja përtej llafeve e sajesave

Publikuar më: 10:24 24-03-2018

Nisja e reshjeve të shiut ka përkeqësuar përsëri situatën e përmbytjeve në Shkodër.
Megjithatë ministria e mbrojtjes është vendosur përballe akuzave se nuk po ndërhyn për përballimin e situatës, ka ardhur dhe reagimi i kësaj të fundit.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar Ministria sqaron se niveli i ujit është ulur 10-15 cm.
Sakaq, shton se mbi 600 efektivë të FA janë të angazhuar në terren në ndihmë të banorëve dhe se janë evakuuar 26 familje dhe 2 mijë banorë janë lehtësuar me transportin e përditshëm.
Reagimi i plotë:
Kudo ku uji ka paralizuar jetën e njerëzve, në Obot, Dajç, Ana e Malit, Trush, Livadhë, Velipojë apo Bushat, që prej 5 Marsit e deri më sot, mbi 600 djem në uniformë, qindra të tjerë të Emergjencave Civile, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe OSHEE kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pranë çdo banori në vështirësi.
Kushdo që thotë se, ushtria nuk e njeh terrenin mirë, me siguri ka shkuar vetëm në ato zona ku e gërryen meraku për militantë.
Për ne, banorët e Shkodrës janë qytetarë të Shqipërisë! Ndaj sot e përherë, përtej llafeve e sajesave përçarëse politike e mediatike, do të trajtohen njësoj, për t’i bërë ballë të gjithë bashkë, tërbimit të natyrës, që na ka sjellë këto ditë të vështira.
Deri më tani, 26 familje janë evakuuar, 2 mijë banorë janë lehtësuar me transportin e përditshëm. Janë evakuuar e po trajtohen me bazë ushqimore 2 500 krerë bagëti.
Bashkë me banorët, Forcat e Armatosura kanë përforcuar 650 metra argjinaturë në Pentarë e Cas.
Nga Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit janë shpërndarë mbi 30 mijë kg ushqime e detergjentë, 23 mijë litra ujë e më shumë se 53 mijë kg koncentrat.
300 ton koncentrat e qindra ton ujë pritet të shpërndahen ditë pas dite. Nga Rezervat e Shtetit janë shpërndarë pako ushqimore, shtretër, çadra, batanije e çizme për banorët në vështirësi.
I bëjmë thirrje pushtetit vendor dhe administratorëve lokalë, të lënë llafet e propagandën boshe të politikës ndarëse të ditës, dhe të marrin masat për koordinimin e shpërndarjes, në bazë të nevojave, pa dallim, për të gjithë banorët në zonat e rrethuara nga uji.
Forcat e Armatosura po punojnë natë e ditë për shpërndarjen e ndihmave, sipas planifikimit të Komisionit të Emergjencave përmes Prefekturës dhe strukturave vendore.
Bashkëpunimi mes forcave të ushtrisë, institucioneve të qeverisë dhe pushtetit vendor është detyrimi ynë i përbashkët, dhe vendosja e qytetarëve në qendër të përpjekjeve të përbashkëta, është nderi i çdokujt që paguhet nga taksat e tyre!

Article Logic
Execution time: 0.0034439563751221