UEFA-s ka ndryshuar stadiumin ku do të luhet ndeshja eleminatore e kampionatit Botëror mes Shqipërisë dhe Izraelit të shtunën. Ndeshja nuk do të luhet në Shkodër, siç ishte parashikuar, por në Elbasan Arena. Zhvendosja e ndeshjes Shqipëri-Izrael është bërë me kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe arsyeja ka qenë mungesa e sigurisë në impiantin e qytetit të Shkodrës. Pas lajmit të publikuar sot nga “Panorama Sport” se arrestimet e disa personave në Shkodër ishin kryer sepse Mossad kishte njoftuar se ata mund të kryenin akte terrorizmi në stadium gjatë ndeshjes, u vendos ndryshimi i impiantit. Kërkesa në FIFA nuk është dorëzuar nga Federata Izraelite e Futbollit, siç mund të mendohej, por nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo e fundi ka dorëzuar sot në FIFA një kërkesë për zhvendosjen e ndeshjes në Elbasan dhe ajo është aprovuar nga organizata e cila rregullon eliminatoret e Botërorit 2018 në kuadër të së cilës zhvillohej kjo ndeshje. “Pasi Federata Shqiptare i kërkoi FIFA-s të lëvizte vendndodhjen e ndeshjes kundër Izraelit për shkak të kushteve të sigurisë, FIFA vendosi që ndeshja të zhvendosej në Elbasan, pranë Tiranës. Federata e Izraelit e aprovoi këtë ndryshim”, shkruhej në njoftimin e Federatës Izraelite.