INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përndjek dhe terrorizon për një muaj ish të dashurën me mesazhe: “Do të të pres kokën….”

Përndjek dhe terrorizon për një muaj ish të dashurën me mesazhe: “Do të të pres kokën….”

Publikuar më: 19:05 04-04-2017

Lidhja e tyre e dashurisë është kthyer në një histori horror. Një  25 vjeçar i ka dërguar ish të dashurës disa mesazhe tmerri  duke e terrorizuar atë për një muaj.

“Ta dish që sot vërtet s’ka më dashuri, por vetëm do të ta copëtoj fytyrën e trupin”. “Do të ta pres kokën, a mirë, mbaje mend këtë fjalë, shkruan 25 vjeçari.

Kërcënimet kanë pasur si motiv mospajtimin e të riut Marsid S. me faktin që lidhja e tyre e dashurisë ishte ndërprerë.

Përveç SMS­-ve, ai e ka ndjekur ish­-të dashurën këmba­-këmbës, 1 metër larg, sa herë ajo dilte nga shtëpia, duke u përpjekur ta ndalonte. Kjo situatë është përballuar nga vajza deri në nëntor të vitit 2016, kur ajo i ka kallëzuar veprimet e 25-vjeçarit në Policinë e Tiranës, që më pas u dërgua si i pandehur në gjykatë. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës i dha fund gjykimit ndaj Marsid S.

Ai u shpall i fajshëm për akuzën e “përndjekjes” dhe u dënua me 5 muaj e 4 ditë burg. Gjatë gjykimit, ai ka kërkuar mëshirë nga trupi gjykues dhe ka shfaqur pendesë të thellë për veprimet e kryera prej tij.

PËRNDJEKJA

Në kallëzimin e bërë në polici, në nëntor të vitit të kaluar, e dëmtuara nga i pandehuri Marsid S. ka pohuar se fillimisht kanë pasur një marrëdhënie normale dashurore me njëri-­tjetrin. Gati një muaj para kallëzimit, marrëdhënia ishte prishur për shkak të xhelozisë së 25­-vjeçarit, i cili, sipas saj, i kishte thënë: “Nëse do të dalësh me ndonjë person tjetër, unë do të të vras”.

Ajo ka shpjeguar se në momentin e njohjes, Marsidi i kishte premtuar fejesë, por duke qenë se ai bëhej shumë xheloz, ajo është munduar që të largohej nga ky person, duke i thënë: “Nuk dua më të vazhdoj me ty”; “Të lutem më lër të qetë, ku unë të vazhdoj jetën time dhe ti vazhdon jetën tënde”.

Por në këto rrethana, ai është bërë më tepër xheloz. Në vijim, ai e ka kërcënuar me fjalë të ndryshme dhe sa herë që ajo dilte nga shtëpia, i shkonte nga pas, duke e ndjekur në një distancë prej 1 metër e duke kërkuar ta ndalonte.

SMS­-TË KËRCËNUESE

Sipas vendimit të Gjykatës, i siguruar nga “Panorama”, gjatë kohës që e dëmtuara ka qenë në shtëpi, nga ana e të pandehurit i kanë mbërritur disa SMS me përmbajtje kërcënuese. Referuar vendimit të Gjykatës, mes tyre kanë qenë mesazhe si: “Unë ty do të të gjej sot dhe do të jetë dita e fundit që jeton”; “Nuk dua asgjë nga ti, vetëm të ta copëtoj trupin”; “Ok veç ta dish që sot vërtet s’ka më dashuri, por vetëm do të ta copëtoj fytyrën e trupin”; “Do të ta pres kokën, a mirë, mbaje mend këtë fjalë”.

Po sipas vendimit, mesazhet kërcënuese nga ana e të pandehurit drejt ish-­të dashurës së tij kanë vijuar edhe pasi ajo i ka shkruajtur se do të njoftonte policinë për kërcënimet e tij.

“Tani shko, jo më vonë se mos harro, se pa të copëtuar ty nuk më kap policia”; “Hajde se ke lagja më ke, këtu po të pres derisa të vish dhe një muaj mos me ardhe, këtu të pres”, kanë qenë mesazhet në vijim.

Mes kërcënimeve, ai i ka nisur asaj edhe një SMS me foton e një pistolete, poshtë së cilës ka shkruar: “Vetëm kjo të bën mirë ty, dil jashtë mos ta bej në sy të L…”; “A je duke dalur jashtë apo të vi vetëm brenda?”.

Article Logic
Execution time: 0.0038189888000488