Pesë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në autostradën Rrëshen-Kalimash. Në afërsi të tunelit të Thirrës në Mirditë, 5 automjete janë përplasur konkretisht dy mjete tip “Benz”, një me targa AA350BD dhe tjetri me targë AA621T, njëri prej të dyve mjet i shërbimit taksi. Sipas të dhënave zyrtare të policisë në përplasje janë përfshirë edhe tre mjete të tjera, një “Mitsubish” dhe dy “Audi A3”, njëri prej të cilëve nga Kosova.
Si pasojë e përplasjes, 3 persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë dërguar në Qendrën e Traumës në Tiranë. Dy persona të tjerët, të identifikuar si Mark Gjeka dhe Riza Peca, drejtues të dy mjeteve tip “Benz”, ndodhen në spitalin e Rrëshenit. Mësohet se këta të fundit janë jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se shkak për këtë aksident ka qenë humbja e kontrollit të njërit nga mjetet, si pasojë e terrenit të rrëshqitshëm, pas reshjeve të dëborës.