INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Përplasen

“Përplasen" historitë për Marjan Rrokun! Flet motra e vajza e viktimave, ish-kreu i SHIK, Klosi dhe një “dëshmimtare”…

Publikuar më: 14:11 01-03-2016

Motra dhe vajza e viktimave të 15 viteve më parë të Marjan Rrokut, Ornela Canaj ka dalë në skyp mbrëmjen e së hënës në emisionin e Rudina Xhungës dhe ka reaguar ashpër në lidhje me varjantin e treguar të ngjarjes nga ana e Rrokut për Ardit Gjebrenë. Ajo ka rrëfyer një tjetër histori, ku ka përfshirë dhe emrin e ish - shefit të SHIK-ut, Fatos Klosi.

 

Ja varjanti i Ornela Canaj:

Ne të gjithë ishim në shoqëri dhe unë e motra  jetonim në konvikt. Ditën e parë që mësova se çfarë kishte ndodhur mes saj dhe Marjanit, ishte kur ai kishte kërcënuar motrën, e gjeta Aldën të shtrirë në krevat, të nxirë dhe të enjtur. Më tha se “një i dehur e kishte tërhequr, ishte me motor dhe e shtyu. Shkuam në polici dhe raportuam, por kur u kthyem nga policia, motra më tha: “Ai që ma bëri këtë mua, nuk është i panjohur. Është Marjani, punon për SHIK-un, ka pistoletë dhe më tha, që po ju the njerëzve të familjes, do t’i vras të gjithë ata. E kishte dhunuar duke i thënë do të vish me mua në Itali. “Ai që do të martohet nuk vepron kështu”, - tha Ornela.
E denoncuam me emër Marjanin, si punonjës i SHIK-ut. Ai vazhdoi mbas këtij denoncimi, u bë dhe më keq. Erdhën na kërkuan të tërhiqnim denoncimin. Emri i Fatos Klosit dëgjohej nga Marjani dhe Sulejmani (shoku). Gjithmonë thoshte se, “mua më mbron Fatos Klosi”. Por mbas gjithë denoncimeve dhe përpjekjeve nuk u mbajt përgjegjësi pas këtyre veprimeve. I nisëm dhe një letër Klosit vetëm një muaj para se Marjani tu merrte jetën, tha Ornela, po nuk morrën përgjigje kurrë.

Pas ngacmimeve të Marjanit sipas Ornelës në Tiranë kishte mbritur dhe e ëma e cila e shoqëronte Aldën çdo ditë në shkollë. Ato lanë konviktin dhe me të ëmën shkuan të jetonin tek gjyshja.

Mami ka qenë mësuese dhe hoqi dorë nga shkolla dhe duhej të bëhej badigarde e motrës ta mbronte nga Marjani – tha Ornela. Ornela ka kujtuar dhe ditën e fundit, që ajo i pa gjallë të jëmën dhe motrën:

“Unë e pashë Aldën në shkollë te shkolla e mesme e gjuhëve të huaja. Ishte e nxirë në fytyrë dhe po dridhej. E pyeta çfarë kishte. Ajo më tha që i kishte dhënë një letër Marjanit, ku i thoshte: ”Na lini të qetë mua dhe familjen, e ai i kishte shkuar te dritarja kur ishte në mësim. Ia kishte bëri me shenjë që do të vras”. Atëherë unë i thashë, që ta çoja në shtëpi dhe më tha jo, kam më shumë besim te mami. E lashë aty dhe shkova në mësim. Mendova se ishte ndonjë nga ato kërcënimet e papërfunduar, që na ndiqnin me muaj me radhë. Kur u ktheva në shtëpi nuk i gjeta dhe pashë, që nuk kishte njeri dhe nga policia mora vesh për atë që kishte ndodhur.”

Ja letra që i kanë nisur atë kohë Fatos Klosit e publikua nga Dritare:

Zoti Fatos!

Ne që po ju shkruajmë jemi dy prindër të tre vajzave nga Greshnica e Mallakastrës, të dy mësues. Unë Faslliu, drejtor shkolle, gruaja mësuese në Greshnicë. Vajzat i kemi të dyja në Tiranë, të madhen në Universitet, viti i tretë gjermanisht, të mesmen, viti i dytë italisht. Po ju shkruajmë juve, pasi një punonjës i juaji i SHISH-it, Marjan Rroku, vajzën e dytë, Alda Canaj, e ka rrahur, kërcënuar, i ka nxjerrë edhe pistoletën dhe i ka numëruar në sy plumbat, mbasi i ka thënë se do ta marrë në Itali. Historia ka nisur në Maj 2000 kur ai i ka propozuar dhe vajza ishte 15 vjeçe.

Vajza nuk ka pranuar. Në nëntor 2001 e ka kapur vajzën, e ka rrahur, kërcënuar dhe nëse ajo do të thoshte gjë në familje apo motrës së madhe do të vriste motrën dhe shoqet e saj.
Vajzat kanë denoncuar në polici dhe polici, B. Hoxha , në fillim e ka marrë kërcënimin, pastaj ka mbajtur qëndrim zbutës. Vajzave u është bërë thirrje nga punonjësja juaj, V. Halili, për të tërhequr denoncimin.”

Letra vazhdon me shpjegimin e situatës dhe thirrjen për ndihmë dhe mbyllet me fjalët:

Besojmë se edhe si mallakastriot, diçka duhet të bëni për ne.

 

                Me respekt:

Faslli e Mbarime Canaj

Po nga biseda që redaksia e Dritare bëri me Klosin, ai e pranon, që Marjani ishte një student i shkëlqyer i tij, që punoi për rreth një vit në shërbim. Gjithashtu ai pranon se familja e vajzës i ishte ankuar për përndjekjet, që i bënte punonjësi i tyre. Dhe për të sqaruar situatën kishte caktuar Shefen e Kuadrit të SHIK-ut të asaj kohe, për tu marrë me këtë rast, e cila më pas sipas Ornelës u kishte kërkuar të tërhiqnin denoncimin se Marjani nuk do ti bezdiste më.

Pas reagime të familjarëve të viktimave dhe zërave kundër ka ardhur edhe një reagim nga ish-kreu i SHIK në vitin 2001, Fatos Klosi. “Marjan Rrokun e kam rekrutuar unë kur isha drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar”, ka thënë Klosi për një sajt. Më pas Fatos Klosi shprehur se Ardit Gjebrea ka gabuar me intervistën e bërë me Marjan Rrokun.

Po vetë Marjan Rroku në versionin e tij për ngjarjen lidhjen me Aldën nuk e ka pranuar, duke thënë se ajo ishte futur mes historisë së tij dhe një shoqje të saj. E ishte Alda që e përndiqte atë…Ai rrëfeu se ato i kishte qëlluar pas një momenti konflikti me vajzën dhe nënën e saj, e cila, sipas tij, e kishte goditur me çantë.

Po të dy versioneve të mësipërme i është shtuar një tjetër, krejt i ndryshëm nga ai i familjares së dy viktimave dhe ai i Marjan Rrokut. Në një koment në faqen Facebook një vajzë që mban emrin Salma Shkreli shfaqet kundër Ornelës, tregon një tjetër histori.

Ajo thotë se ishte Alda Canaj ajo, që e kërkonte Marjan Rrokun dhe se kishte shkuar dhjetra herë në zyrat e SHIK-ut duke e kërkuar. “Mos e dëgjoni këtë Ornelen more se kjo është një gënjeshtare patologjike. Me gënjeshtrat e saj po i vret për herë të dytë nënën e motrën e saj e jo ai krimineli. Meqë dashka të flasë me fakte ajo nuk dha asnjë në Vizion plus, po e ndihmoj pak. Meqe ky krimineli ju ndiqte juve si shpjegohet, që Alda ka ardhur ta takojë tek Shiku me dhjeteta herë? Çdo gjë duhet të jetë e dokumentuar tek informacioni I Shik-ut. Si shpjegohet, që Alda ka tentuar të helmohet duke marrë hapje gjumi, (o marjanin, o rash e vdiqa)? Kjo ka ndodhur në një bar në qytet studenti dhe Marjani ka kërkuar ndihmën e shpejtë, ku e kanë dërguar në spitalin ushtarak. Kjo mund të provohet me dokumente nga ky spital. Si shpjegohet që, ai ju ndiqte juve, por ai në Tirane e ju në Tirane. Ai në Amerikë e ju në Amerikë?  Si ka mundësi, që i gjithë SHIKU ju paska kërcënuar juve, përfshirë edhe Fatos Klosin?”.

Article Logic
Execution time: 0.0039160251617432