Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Qafën e Muzinës, ku një autobus me studentë që po ktheheshin nga Saranda për në Tiranë, është përplasur me një automjet veturë, që po udhëtonte drejt Greqisë. Fillimisht u njoftua se ishin plagosur shtatë persona, 4 nga të cilët ishin fëmijë, dhe po udhëtonin me autoveturën me targa greke, drejt shtetit Helen. Studentët nga Tirana kanë pasur lëndime të lehta. Dy prej të aksidentuarve në Sarandë, janë përcjellë menjëherë me helikopter në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë, pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore në Spitalin e Gjirokastrës. Mirëpo ky aksident ka rezultuar fatal për 12-vjeçaren Dori Lleshi, e cila ndërroi jetë në Spitalin e Gjirokastrës, rreth 6 orë pas aksidentit. Mjekët thanë se vajza mbërriti në vdekje klinike, me dëmtime të rënda në kafkë.