INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Përplasje e fortë mes Trump e Clinton në debatin e dytë [VIDEO]

Publikuar më: 07:54 10-10-2016

Më shumë se 90 minuta ka zgjatur debati i dytë presidencial mes Hillary Clinton dhe Donald Trump në Seint Ljuis të Mizurit debati i dytë presidencial Clinton-Trump u zhvillua në një atmosferë akuzash dhe kundërakuzash të ashpra. Kandidatët, të cilët kur hynë nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit si në debatin e parë, u pyetën për shembullin që ata duhet të jepnin për të rinjtë, një pyetje që nënkuptonte komentet vulgare të bëra nga zoti Trump për gratë 11 vjet më parë dhe që u publikuan të premten.

Kandidati republikan u përpoq t’i shmanget pyetjes, duke ndryshuar temë disa herë.

“Ja kush është Donald Trump”, tha zonja Clinton.

Zoti Trump tha: “Nuk jam krenar (për videon). Shihni Bill Clintonin. Të mijat ishin fjalë, të tijat ishin vepra.”

“Kam respekt të madh për gratë; askush nuk i respekton gratë më shumë se unë,” tha zoti Trump.

Zonja Clinton e kritikoi ashpër rivalin. Ajo tha se nuk ishte vetëm videoja e publikuar të premten që ngre pikëpyetje nëse zoti Trump duhet të jetë apo jo president, por edhe komentet e tij lidhur me emigrantët, myslimanët dhe çështje të tjera.

Zoti Trump tha se këto janë “vetëm fjalë” që i dëgjojmë prej vitesh. Ai e kritikoi zonjën Clinton për çështje të tjera si arsimi dhe afrikano-amerikanët përsëri duke u përpjekur t’i shmanget pyetjes së fillimit.

Ai tha se komentet e tij të publikuara të premten ishin thjesht biseda spontane, por Bill Clinton, – tha ai, – ka qenë abuzues i grave dhe zonja Clinton i ka sulmuar këto gra. Zoti Trump kishte sjellë në sallën e debatit tre nga gratë që e kanë akuzuar zotin Clinton në të kaluarën për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre.

Kur debati u përqendrua tek emailet e zonjës Clinton, zoti Trump tha se ai do të emëronte një prokuror të posaçëm për të hetuar rivalen e tij. “Ju do të përfundonit në burg”, tha ai, duke nënkuptuar se ajo kishte shkëmbyer materiale të klasifikuara duke përdorur një server privat, kur ishte sekretare e shtetit.

Zonja Clinton e quajti “të rrezikshme” retorikën e rivalit Trump për myslimanët. “Vizioni im i Amerikës është një Amerikë ku secili ka një vend”, tha ajo.

Zoti Trump u përgjigj duke thënë se islamofobia është problem, por shtoi se SHBA kanë një problem serioz. Ai përmendi vrasjet në San Bernardino si shembull të “terrorizmit islamik radikal”.

Të pyetur për rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, zonja Clinton tha se Rusia po përpiqet t’i ndikojë zgjedhjet në favor të zotit Trump, “ndoshta ngaqë ai e ka lavdëruar Presidentin Putin, ndoshta ngaqë synon të bëjë biznes në Moskë.”

Zoti Trump u përgjigj se ai nuk ka kredi me Rusinë. “Mund të pyesni pranë qeverisë amerikane dhe ata mund t’jua thonë këtë, sepse ata i njohin fare mirë të dhënat e mia financiare”, tha kandidati republikan.

Në fund të debatit kandidatët u pyetën: Megjithë retorikën e tanishme, cila është ajo gjë që respektoni te njëri-tjetri?

Zonja Clinton tha se respektonte fëmijët e zotit Trump. Kandidati republikan u përgjigj se Hillary nuk dorëzohet dhe kjo është një veti e mirë.

Të dy thanë se nuk ishin dakord me të gjitha gjërat e tjera të njëri-tjetrit.

Kandidatët e përfunduan debatin e ashpër me një shtrëngim duarsh.

Article Logic
Execution time: 0.0031039714813232