INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Përshkallëzohen tensionet”, anijet iraniane ndalojnë çisternën britanike

“Përshkallëzohen tensionet”, anijet iraniane ndalojnë çisternën britanike

Publikuar më: 12:11 11-07-2019

Vijojnë të përshkallëzohen raportet mes Iranit Britanisë dhe SHBA-së.

Britania pretendon se tri anije iraniane “bënë përpjekje të ndalojnë” një cisternë britanike të naftës në Ngushticën e Hormuzit. “Në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, tri anije iraniane u përpoqën të pengonin kalimin e anijes tregtare, Trashëgimia Britanike, përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha përmes një deklarate Qeveria britanike.

Luftanija britanike, HMS Montrose, “u detyrua të pozicionojë veten midis anijeve iraniane dhe cisternës britanike dhe të lëshojë paralajmërime verbale për anijet iraniane, të cilat më pas janë larguar”, thuhet në deklaratë.

“Ne jemi të shqetësuar me këtë veprim dhe vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që të shtensionojnë situatën në rajon”, u tha po ashtu në deklaratë.

Garda Revolucionare e Iranit mohoi se ka bërë përpjekje të ndalojë cisternën britanike, raporton agjencia iraniane e lajmeve Fars.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se Britania i bën pretendimet e tilla “për të krijuar tensione”.

Irani, më herët, ka kërcënuar se do të kapë një anije britanike, pasi marinsat britanikë, javën e kaluar, në Gjibraltar kapën një cisternë iraniane, pasi dyshohej se ajo bartte naftë nga Irani në Siri, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian.Të mërkurën, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se Britania do të përballet me “pasoja” për shkak të kapjes së cisternës iraniane.

Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar Iranin për sulme ndaj gjashtë cisternave të naftës në maj dhe qershor.

Ushtria amerikane tha të mërkurën se do të krijojë një koalicion shumëkombësh ushtarak për të mbrojtur ujërat rreth Iranit dhe Jemenit.Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ashtu kërcënoi se do të shtojë sanksionet kundër Iranit.

Article Logic
Execution time: 0.0022661685943604