INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Përurohet sheshi “Skënderbej”, spektakël madhështor në qendër të Tiranës [FOTO / VIDEO]

Përurohet sheshi “Skënderbej”, spektakël madhështor në qendër të Tiranës [FOTO / VIDEO]

Publikuar më: 09:22 11-06-2017

Plot 100 vite nga krijimi i tij, sheshi Skënderbej, vendi simbol i shqiptarëve, ka marrë një pamje krejtësisht të re. Mijëra qytetarë i dhanë jetë sot sheshit të ri Skënderbej, i cili në mënyrë simbolike, për gurët me të cilët është ndërtuar dhe pemët me të cilat është gjelbëruar, përfaqëson të gjitha trojet shqipfolëse. Bashkia e Tiranës nëpërmjet një ceremonie madhështore ka përuruar sot sheshin Skënderbej, projekti i transformimit i të cilit u realizua brenda 10 muajsh.

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shumë personalitete të politikës, artit e kulturës, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, si dhe qindra shqiptarë të tjerë që kishin udhëtuar nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia e Diaspora, për të qenë të pranishëm në këtë eveniment që përkon me 139 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i lumtur për këtë moment, ndërsa e cilësoi sheshin Skëndërbej si një nga më të bukurit në botë, një hapësirë fantastike dhe një nga destinacionet kryesore të gjithë shqiptarëve dhe të turistëve të shumtë. E kam ndjekur punën për këtë shesh në çdo ditë e çdo orë të 10 muajve të fundit. Çdo pllakë, çdo gur, çdo pemë, çdo shkurre, shatërvanët, ndriçimin… Sot, që e shoh sheshin jo vetëm të përfunduar, por me kaq shumë qytetarë, me kaq shumë miq e të ftuar, kur shoh kaq shumë entuziazëm, kaq shumë fytyra të gëzuara që kanë ardhur këtu nga çdo anë e Tiranës e më tej, nuk kam më asnjë dyshim: Kjo është një hapësirë fantastike. Ky është një nga sheshet më të bukur në botë, ashtu siç i takon një hapësire që iu përket të gjithë shqiptarëve kudo që janë, tha Veliaj.

Ai falënderoi në mënyrë të veçantë kryeministrin Rama për mbështetjen që i kanë dhënë Bashkisë së Tiranës në punën e saj, por në mënyrë të veçantë për realizimin e këtij projekti. Dua të falenderoj një mik të mirë, njeriun që transformoi Tiranën dhe që pati i pari vizionin për transformimin e Sheshit Skënderbej, që besoi te ky projekt dhe e ndoqi atë me një pasion e energji që u kthye në burim frymëzimi për të gjithë ne. Tirana, shqiptarët, nuk do të kishin sot një shesh kaq të bukur pa mbështetjen, pa idetë, dhe pa vizionin e Edi Ramës. Tirana është me fat që ka sot Edi Ramën. Shqipëria është me fat që ka sot një kryeministër që po bën për çdo qytet në Shqipëri atë që bëri për Tiranën, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj deklaroi se Sheshi Skënderbej është një simbol uniteti njësoj siç është një simbol uniteti edhe figura e heroit tonë kombëtar, por ai është njëkohësisht edhe mishërim i vizionit që udhëheq sot shqiptarët kudo që jetojnë. Sot sfida jonë natyrisht nuk është më sfida me të cilën u përballën etërit e kombit 139 vjet më parë. Sfida nuk është më lufta dhe mbijetesa, por puna dhe zhvillimi. Janë këto parimet mbi të cilat mbështetet sot uniteti i shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë. Puna për të ndërtuar shtet në Shqipëri e Kosovë, puna për tu dhënë një jetë më të mirë qytetarëve tanë, bashkëpunimi për të ndarë me njëri tjetrin sukseset e arritjet, por edhe për ti dhënë njëri tjetrit një dorë për të shkuar përpara drejt atij që është objektivi ynë më i madh: ndërtimi i shoqërive moderne që në një të ardhme jo të largët do të hyjnë sëbashku në familjen e madhe të kombeve europiane, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se ky shesh ofron tashmë hapësirën më të madhe pedonale në gjithë Ballkanin. Janë 28.000 metra katrorë sipërfaqe e shtruar me gurë nga çdo vend i banuar me shqiptarë, dhe 32.000 metra katrorë oaze e pyll urban me bimësi nga çdo krahinë ku jetojnë shqiptarët sot. Në finale projekti do të përfshijë 90 mijë metra katrorë për këmbësorë, të gjitha në funksion të qytetarëve dhe të aktiviteteve duke e bërë zonën më të madhe pedonale në Ballkan, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se një shëtitje përmes hapësirës së Sheshit Skënderbej është në fakt si një udhëtim simbolik përmes hapësirës së banuar me shqiptarë ku çdo hap i hedhur të çon nga treva në trevë, sepse sheshi Skënderbej është konceptuar si një metaforë e bashkimit. Jam i sigurt që Sheshi Skënderbej do të jetë një nga destinacionet kryesore të qytetarëve të Tiranës, të vëllezërve tanë shqiptarë në të gjithë rajonin dhe nga diaspora, të turistëve të shumtë që sot vizitojnë Tiranën. Pllakat e gurët që formojnë sot këtë hapësirë vinë nga e gjithë trojet tona, nga Tropoja dhe nga Skrapari, nga Korça, dhe nga Malisheva, nga Kukësi dhe nga Lezha, nga Gjirokastra dhe nga Manastiri dhe më larg, nga çdo trevë, por bashkohen këtu në një mozaik fantastik, që simbolizon unitetin e shqiptarëve shtoi Veliaj.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh i emocionuar që pas 10 vitesh projekti për transformimin e sheshit Skëndërbej u bë realitet. Kam kaluar në shesh përpara disa javësh me Lindën dhe nuk i mbaja dot lotët, sepse e kam besuar shumë fort me zemër, mendje, me të gjithë fuqinë e qenies time, të Shqipërisë, Tiranës, i duhej ky shesh dhe ka pasur momente kur jam dorëzuar duke menduar se ky shesh nuk do bëhej kurrë dhe kur ecnim atë natë me Lindën më dukej e pabesueshme, por e mrekullueshme që megjithëse zgjati plot 10 vjet sheshi i Skënderbeut rilindi dhe ambicia jonë për Tiranën fitoi, tha kryeministri Edi Rama.

Për këtë ai falënderoi në mënyrë të veçantë kreun e Bashkisë së Tiranës dhe të gjithë ata njerëz që punuar për 10 muaj për të realizuar një nga projektet më të rëndësishme dhe më të bukurat që është ndërtuar ndonjëherë në vendin tonë. Padyshim që nuk do ishim këtu sot nëse nuk do kishim Lali Erin, të cilit i jam shumë mirënjohës që rimori projektin dhe e çoi deri në fund, tha kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë ka theksuar se sheshi Skënderbej do jetë pika më e rëndësishme e qytetit të Tiranës, por edhe e gjithë shqiptarëve. Ky shesh është vertebra më e fortë e shtyllës kurizore e Tiranës së gjeneratës tjetër. Ky sot është sheshi i shqiptarëve, është sheshi i Amerikës së vogël të pas viteve 90, i Tiranës së tiranosve, të ardhur shumë më parë këtu, më pas i atyre të ardhur dikur këtu si im at dhe i shumë baballarëve si shumë ju këtu dhe më pas i atyre të ardhurve më vonë nga e gjithë Shqipëria për të gjetur këtu Amerikën e tyre të vogël. Dhe padyshim ky është edhe sheshi i të ardhurve nga Kosova, i shqiptarëve nga Maqedonia, nga Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi, por ky është edhe sheshi i Europës që duam, është sheshi i identitetit tonë kombëtar dhe evropian, u shpreh Rama.

Duke evidentuar mikroklimën si një nga pikat më të forta që ofron ky shesh, Rama theksoi se ai është shembulli më i mirë i rilindjes urbane. Ky është sheshi që përfaqëson me shkëlqimin më të fortë rilindjen urbane. Shumëkush është nxituar të flasë për një hapësirë të madhe me gurë që do jetë një hapësirë boshe, e nxehtë, e lodhshme. Ky shesh është hapësira me mikroklimën më ideale që mund të gjejmë në hapësirat urbane të Shqipërisë dhe këtë do ta shijojmë të gjithë ditën dhe natën, sepse është një shesh që rri mbi ujë dhe që uji del për të stabilizuar gjithmonë temperaturën ideale për njerëzit jo thjesht për të zbukuruar sheshin me shatërvanët, tha Rama.

Sheshi përfaqëson një ndërthurje mes pjesës së ngurtë dhe asaj të gjelbër dhe pyllëzuar, duke ruajtur fort simbolikat kombëtare dhe historike që mbart. Ai është shtruar me gurë natyralë në formën e pllakave të gurit me trashësi 10-12 cm dhe që janë marrë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit, Malisheva, Gjakova, nga zona të ndryshme ku jetojnë shqiptarë në Maqedoni, etj. E gjithë sipërfaqja e shtruar me këto gurë arin në rreth 28 000 metra katrorë. Ndërkohë që sheshi ofron 32 000 metra katrorë oaze e pyll urban me bimësi nga çdo krahinë ku jetojnë shqiptarë, të gjitha në funksion të qytetarëve, të aktiviteteve artistike, kulturore, panaireve, koncerteve apo thjesht shëtitjeve e xhirove në orët e pasdites, në freskinë e pemëve. Ato janë të mbjella në rreth 11 lulishte, ku janë mbjellë 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule.

Sheshi është i pajisur gjithashtu me rreth 100 shatërvanë të cilat përveç aspektit estetik do të shërbejnë edhe për freskinë gjatë periudhës së nxehtë. Ky shesh është në fakt një risi për vendin tonë edhe në aspektin ekologjik, duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Për të bërë të mundur këtë poshtë sheshit janë ndërtuar rreth 2100 m3 rezervuare për ujin. Ndërkohë që ndriçimi i sheshit dhe i godinave përreth, si dhe gurët e pemët e sjella nga gjitha trojet shqiptare, i jep qendrës së Tiranës pamje dinjitoze duke u shndërruar atë në mënyrë simbolike në qendrën e të gjithë shqiptarëve.

 

Article Logic
Execution time: 0.0041708946228027