Mbrëmjen e djeshme, kryeqyteti u trondit nga një ngjarje kriminale në zemër të Bllokut.
Një i vdekur dhe tre të plagosur është bilanci nga ngjarja ku mbeti i vrarë 26 vjeçari Fabiol Gaxha, truprojë e Ervis Martinajt, ky i fundit i plagosur bashke me Laert Hato, shok i Martinajt dhe Gaxhës i cili gjendej ulur në një tavolinë me ta.
Deri tani raportohet se palët janë përfshirë në një konflikt me persona të tjerë, ende të paidentifikuar. Burime konfidenciale thonë për newsbomb.al se mbrëmë, në lokalin VIP ku ndodhi ngjarja ka qenë edhe një këngëtare e famshme dhe e suksesshme shqiptare, emrin e së cilës nuk mund ta bëjmë ende me dije pa patur konfimimin zyrtar.
Ndërkohë policia e shtetit, ndonëse kanë kaluar 12 orë nga ngjarja nuk ka dhënë asnjë reagim dhe asnjë informacion zyrtar për ngjarjen që ndodhi në “zemër” të Bllokut, në një lokal me ‘arenë VIP’ që frekuentohej vetëm nga personazhet e njohur të politikës.
Kjo gjë ka bërë që hetimi të vështirësohet për shkak se lokali nuk ishte i pajisur me kamera.
Po si është e mundur, që një lokal luksoz, në zemër të bllokut, i frekuentuar nga politikanë e personazhe të rëndësishëm të jetës publike në Shqipëri, të mos kishte kamera?!
Burimet bëjnë me dije se pronari i lokalit ka vendosur mos instalojë kamera me kërkesë të klientëve VIP që e frekuentonin, të cilët i realizonin pikërisht aty takimet e tyre të rëndësishme, larg kamerave e syve kureshtarë.
Të njëjtat burime, i thanë newsbomb.al se autorët dyshohet të jetë gjithashtu frekuentues të këtij lokali, pasi një njeri i zakonshëm, direkt nga rruga, është e pamundur të futet ashtu rastësisht në dhomën “VIP”.
Në vendngjarje janë gjetur 9 gëzhoja dhe janë përdorur 3 armë, ç’ka tregon për një ‘masakër’ të vërtetë por që policia e ka të vështirë ta zbardhë aq kohë sa nuk posedon pamje filmike./Newsbomb.al