INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Planet e Londrës për Brexit: Jemi gati

Planet e Londrës për Brexit: Jemi gati

Publikuar më: 13:18 14-08-2017

BE i ka pritur prej muajsh ofertat konkrete të Britanisë së Madhe për negociatat e Brexit. Tani vjen propozimi nga Londra. Grindja mes dy ministrive britanike lidhur me Brexit ka marrë fund.

Deri më tani mes ministrit britanik të Financave, Philip Hammond dhe atij të Tregtisë Liam Fox nuk kishte ujdi lidhur me negociatat e Brexit. Hammond, që konsiderohet si proeuropian është për rrugën e “butë” të daljes nga BE, Fox është një kundërshtar i pasionuar i BE-së dhe pro Brexit të “ashpër”.

Tani duket se mes dy ministrave të qeverisë së Theresa Mayt grindja për rrugën se si duhet zhvilluar Brexit është platitur. “Jemi gati” –”jemi të përgatitur”, thuhet në Londër. Ata kanë dalë tani me një propozim të përbashkët për fazën e ndërmjetme të daljes nga BE.

Kërkohet fazë e ndërmjetme

Në një artikull për “Sunday Telegraph” dy ministrat propozojnë një fazë të ndërmjetme për përmbushjen e procesit të Brexit të planifikuar në vitin 2019. Me këtë të dy ministrat Hammond dhe Fox duan t’i japin “më shumë siguri” ekonomisë. Kjo fazë e ndërmjetme, megjithatë nuk duhet të “jetë e pakufizuar”, shkruajnë ata, dhe as të tentojë një anëtarësim të ri përmes derës së pasme. Në këtë fazë të ndërmjetme Britania e Madhe “do të jetë jashtë unionit doganor” dhe nuk do të jetë e lidhur më me marrëveshjet europiane.

Edhe ministria e Brexit të David Davis ka bërë të ditur, se do të publikojë një radhë “dokumentash të detajuara për pozicionet britanike” që do të jenë pjesë e negociatave në Bruksel. Aty bëhet fjalë si për ndarjen me BE ashtu edhe për formësimin e marrëdhënies së ardhshme. Britania e Madhe pret që negociatat të fillojnë në tetor.

E ardhmja e kufirit gjelbër në ishullin e gjelbër

Një temë e rëndësishme në këto negociata do të jetë edhe kufiri i ardhshëm mes BE dhe Republikës së Irlandës e Irlandës veriore britanike. Në ishullin e gjelbër njerëzit i tremben pasojave ekonomike dhe rihapjes së plagëve të vjetra në rajonin që ka vuajtur gjatë nga lufta qytetare. Si kohë për fillimin e Brexit ishte parashikuar qershori. Por bisedimet e deritanishme nuk kanë pasur sukses. BE pret deri në fund të gushtit nga qeveria britanike që të sqarojë pozicionet për çështjet kryesore të procesit të ndarjes. Ndërsa ministri britanik i Brexit, Davis kërkoi që BE të lëvizë nga pozicionet e saj.

E drejta e qëndrimit dhe llogaria e fundit

Më 28 gusht është planifikuar një raund i ri në Bruksel. Britania e Madhe kërkon të largohet nga BE deri në mars 2019. Temë qendrore në negociata është edhe e drejta e qëndrimit të 3,2 milionë banorëve të BE në Mbretërinë e Basbkuar dhe 1,2 milionë britanikëve në Bashkimin Europian. Grindje sundon edhe lidhur me pretendimet financiare të Brukselit ndaj Britanisë së Madhe që kapin shifrën e 100 miliardë eurove. Sipas “Sunday Telegraph”, qeveria e Londrës është e gatshme të paguajë 40 miliardë euro, në rast se Brukseli është i gatshëm të hapë negociatat për një marrëveshje të re tregtie. Por BE nuk dëshiron të flasë për marrëdhëniet e ardhshme me BE, para se të sqarohen mirë çështjet kryesore të divorcit të Britanisë së Madhe nga unioni.

Article Logic
Execution time: 0.004518985748291