INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Planifikimi familjar, Shqipëria e fundit në Europë

Planifikimi familjar, Shqipëria e fundit në Europë

Publikuar më: 13:18 09-09-2018

Shqiptarët kanë pak njohuri për planifikimin familjar. Vetëm 11% e tyre kujdesen për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar. Ekspertët tregojnë se në Shqipëri, rritja e abortit dhe përfshirja e grave në tregun e punës janë tregues të nevojës për të pasur një strategji të re të planifikimit familjar dhe informimit më të gjerë në shoqëri. Shqipëria rezulton e fundit në Europë për planifikim familjar. Sipas shifrave, vetëm 12.9% e familjeve shqiptare kanë metoda të planifikimit familjar, shifra më e ulët në të gjithë Europën. E para është Franca, me 95.5% përfshirje në aplikim të metodave të tilla. Krahasuar me vendet ballkanike, jemi sërish të fundit, ku Mali i zi ka një përfshirje 34.2% të familjeve, dukshëm më shumë se vendet e tjera. Ekspertët e fushës psikologjike sugjerojnë se qeveria duhet ta ketë përparësi angazhimin gjithëpërfshirës në aspektin e planifikimit familjar, për të shmangur problemet social - ekonomike të popullsisë. Ende nuk ka një korrelacion të qartë në shifra mes planifikimit familjar, varfërisë së familjeve dhe ndikimit në shoqëri. Dekada hulumtimesh kanë treguar se investimet modeste në planifikimin familjar mund të shpëtojnë jetë dhe të përmirësojnë ndjeshëm shëndetin e nënës dhe fëmijës. Ekziston një nxitje në rritje në komunitetin e vendeve në zhvillim për të ripërcaktuar planifikimin e familjes, për shkak të rolit të ndërsjellë që ajo luan në arritjen e qëllimeve më të gjera zhvillimore, duke përfshirë Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, sipas OBSH-së, si dhe reduktimin e varfërisë. Në ditët e sotme, duket e domosdoshme që të ndihmohen gratë të shmangin shtatzënitë e padëshiruara, gjë që do të përmirësonte mirëqenien ekonomike. Por, të dhënat për të vlerësuar në mënyrë korrekte këtë marrëdhënie kanë qenë të kufizuara. Hulumtimet nëpër botë tregojnë se, përveçse ndikon për një shëndet më të mirë, planifikimi familjar është një komponent thelbësor i zhvillimit të qëndrueshëm dhe zbutjes së varfërisë.

Article Logic
Execution time: 0.0035610198974609