Në orët e para të mëngjesit në lagjen "Lirimi" të Vlorës ka ndodhur një shpërthim me pasoja të lehta. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në katin e parë të një pallati, tek një lokal në pronësi të shtetasit R.M., 56 vjeç, e ku për pasojë është dëmtuar vetëm xhami i dritares së këtij lokali. Për fat të mirë nuk janë dëmtuar njerëz pasi lokali ishte mbyllur.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se shpërthimi mund të jetë kryer me lëndë shpërthyese "Dinamit", pasi në vendngjarje është gjetur mbetje fitili. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për zbulimin e autorëve.