INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
PLAS të PS, një tjetër paralajmërim për Edi Ramën

PLAS të PS, një tjetër paralajmërim për Edi Ramën

Publikuar më: 13:20 12-07-2016

Deputetja e Vlorës, Mira Shehu ka zgjedhur të urojë ditëlindjen e partisë nëpërmjet kritikave. Një ditë pasi kolegu i saj i Përmetit Vladimir Kosta u largua nga partia, Mira Shehu kërkon reformim të thellë të partive politike. Nëpërmjet një statusi në facebook, deputetja e Vlorës, e cila njihet për afërsinë e saj me ish deputetin Koço Kokëdhima shkruan:
Mira Shehu:
“A ka ardhur momenti pas një çerek shekulli të analizojmë përse populli ka pakënaqësi të vazhdueshme nga politikanë dhe nga drejtues të lartë shtetërorë të të gjitha forcave politike? Flasim për rëndësinë e dekriminalizimit në sektorin publik. Po a ka ardhur koha të kthejmë vëmendjen drejt reformimit të partive politike, përmirësimit cilësor të drejtimit në strukturat drejtuese të partive politike të çdo niveli? Përmirësimi i dukshëm në cilësi i përfaqësimit të partive politike padyshim do sjellë përmirësimin cilësor të qeverisjes do prodhojë drejtues me integritet të lartë, duke shërbyer me vetëdije dhe duke lënë mbrapa kultura të shitjes së pozicioneve të punës apo shërbimeve të shtetit dhe më keq akoma të pushtimit të vendeve të punës me të paaftë.
A do populli që elita politike të përfaqësohet nga elita intelektuale? Që studentët e shkëlqyer në ekonomi ti shohim nesër në drejtim te financës së vendit, studentët e shkëlqyer te drejtësisë të marrin drejtimin e sektorit te drejtësisë së vendit, që më të suksesshmit të jenë nesër kandidatët për kryetarë bashkie, partie apo për deputetë?
Mos vallë është kjo më pak e rëndësishme se ligji i dekriminalizimit?
Nisëm një punë të shkëlqyer ne rajonin Vlorë - Gjirokastër për reformimin e partisë socialiste të drejtuar nga Deputeti Kokëdhima. Me qindra djem dhe vajza të shkolluar u bënë pjesë aktive duke e përmirësuar dukshëm cilësinë e drejtimit në parti. Një përpjekje që dha rezultat deri në trefishim të anëtarësisë. Ndryshimi apo risia në politikën tradicionale natyrisht që has pengesa apo pranohet me vështiresi por kthim prapa nuk ka dhe nuk mund të ketë për sa kohe ndryshimin e kërkon koha dhe njerzit.
Këtë mesazh mendova të ndaj në këtë 25 vjetor të partisë socialiste. Gëzuar”!

Article Logic
Execution time: 0.0035629272460938