Duket se Shqipëria ka mungesë talentesh dhe këtë e ka treguar dhe në pozicionimin, që ka fituar në indeksin global të talenteve.
Vendi ynë edhe pse është rritur vetëm me tre pozicione në indeksin global të talenteve që publikohet çdo vit në prag të fillimit të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror, aftësia e shqiptarëve për të rritur apo edhe thithur talente duket se është përkeqësuar.
Kështu, në raportin e 2018, Shqipëria renditet e 75-ta ndër 125 vende të ndryshme të botës, me 37.35 pikë, ndërkohë, që një vit më parë mbante pozicionin e 78-të, por me 37.47 pikë. Që do të thotë se shumë shtete të tjera janë rritur me pikë.
Ky pozicionim e rendit vendin tonë ndër 3 performuesit më të dobët në Europë, duke ja kaluar vetëm Moldavisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Shqipëria ndërkohë rezulton të ketë performancën më të dobët përsa i përket aftësive dhe njohurive globale, që na pozicionon në vendin e 98-të në botë, ndër 125 vende. Ndër më alarmantët janë ata të dy që i referohen trurit, mbajtjes së trurit, pra të aftësisë për të mbajtur në vend individët e kualifikuar, por edhe përthithja e individëve të aftë të lindur jashtë Shqipërisë.
Në nën indikatorin e parë, atë të mbajtjes së trurit jemi të 106-tët në botë, dhe në atë të thithjes së trurit, të 111-tët në botë. Në të dy këto drejtime, vendi ynë ka bërë hapa prapa në krahasim me një vit më parë.