Padiskutim, mungesa më e madhe në Botërorin që do të zhvillohet në Rusi në vitin 2018 do të jetë Italia. Pas eliminimit në fazën “play off” nga Suedia, tifozët dhe mediat italiane “kryqëzuan” trajnerin Ventura e ndërkohë që janë në kërkim të një trajneri tjetër, ka dhënë dorëheqjen Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio.
Presionet e shumta në drejtim të tij pasi Italia nuk u kualifikua për në Kupën e Botës kanë ndikuar që ai të merrte këtë vendim. Mbledhja startoi sot në orën 12:20, ndërkohë që përfundoi vetëm pas 15 minutash. Votat në fakt ishin në favor të qëndrimit të tij, 10 pro dhe 7 kundër, por ai zgjodhi që të jepte dorëheqjen.
“Po largohem sepse dështova. I kërkoj falje të gjithë italianëve. Tani është koha që futbolli italian të nisë një epokë të re. Ambiciet dhe spekulimet politike kanë ndikuar në arritjen e këtij rezultati. Kam mbajtur shënim ndryshimet që kanë kërkuar disa prej jush, dhe për këtë arsye kam vendosur që të jap dorëheqjen." tha Tavecchio.