Tani që vera është zyrtarisht në horizont, fillojnë edhe rrobat të firojnë nga gardaroba jonë.
Domethënë, jo se do rrimë pa rroba, por sigurisht nga vapa e madhe zëvendësojmë gjithë pulovrat edhe tricot e leshit me këmishat e fustanet e holla, me t-shirte dhe funde të shkurtra, duke na hequr ca kile.
Por ndërkohë që firojnë rrobat, firojnë edhe mundësitë për të bërë kombinime se aq rroba janë ato të shkretat. Ndaj jemi në gjueti për aksesorë.
Përveç çantave verore të leckës, syzeve të vockla, etj etj që ju me siguri i keni tashmë, ne ju japim një ide tjetër.
Parashikojmë se shalli i flokëve do jetë hiti më i madh i verës.
Kjo sepse të gjithë VIP-at dhe personat me influencë në industrinë e modës po i pushtojnë rrjetet sociale duke vendosur shalle të mëndafshta në flokë.
Ndoshta duket si trend i lodhshëm, sepse duhet t’ja gjesh anën me modelin e flokëve, por në fakt nuk është asgjë e vështirë.
Pra, si mund t’a vendosni shallin në kokë pa u dukur si një nga Piratët e Karaibeve?
Këtu janë disa ide:
Topuz
Nëse i mbani shpesh flokët topuz, kemi një lajm të mirë sepse topuzi i rrethuar me një shall është hit. Mjafton të bëni topuzin tuaj të zakonshëm, të rrotulloni shallin tuaj në të dhe t’a lidhni si preferoni.
Bisht
Funksionon njëlloj si me topuzin, por ne ju sugjerojmë që bishtin t’a kapni poshtë dhe jo në majë të kokës. Në këtë mënyrë shalli do të derdhet në shpinën tuaj bashkë me flokët dhe do të duket shumë bukur.
Si rreth
Mund t’a lidhni shallin rreth e përqark kokës si një rreth flokësh. Nyjen mund t’a vendosni poshtë në qafë dhe t’a lini shallin të përzihet me flokët. Edhe nëse i kapni, pjesa e mbetur e shallit do të varet për poshtë. Por mund t’a lidhni nyjen edhe sipër.