INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Polici, si autokombanjë korrje-shirje

Polici, si autokombanjë korrje-shirje

Publikuar më: 15:08 01-09-2016

Nga Anila Basha

Ladi, 48 vjeçar është baba i tre fëmijëve. Në darkë, nuk ka kohë as t’i shohë, as t’i përshëndesë. Në ka mundësi të bëjë një dush po pati ujë, hyn me vrap. Të parat rroba të uniformës që ka, nuk janë tharë akoma, edhe pse dielli zhuritës i fundgushtit djeg e përvëlon. Por uniformat e policisë janë të trasha. Duke ngritur zërin ndaj gruas, mes lodhjes, nervozizmit, e duhmës së tymit të hashashit, bie të flerë me idenë që nesër nuk do të jetë në plantacionin e radhës…por fati nuk e ndihmon. Në orën 04.00 të mëngjesit, i bie telefoni, dhe duhet të marrë kosën në dorë…për të korrur…hashash.

Si historia e Ladit ka dhjetëra histori policësh në Shqipërinë e korrik-gushtit të këtij viti. Dhe përpos kësaj, janë me mijëra policë që duhet të përballen me median, gazetarët, deputetët, opozitën, politikën, bashkëshorten, fëmijët, hallet e përditshme, paratë, orët e zgjatura jashtë orarit…

Askush nuk flet për ta. I fajësojnë e i shfajësojnë, sa herë kanë mundësi të thonë diçka të tillë. Dhe pastaj, përfundojnë te akuza e përhershme politike se Ladi, Sajmiri, apo qeveria “ka mbjellë me hashash gjithë Shqipërinë”.

A është e vërtetë që faji është vetëm i strukturave të rendit, policisë, ministrisë së brendshme për mbjelljen e hashashit?

As nuk diskutohet që policia ka pjesën e vet të fajit në këtë proces. Inspektorët e zonave, ndoshta jo në të gjitha rastet, por në shumicën e tyre duhet të kenë informacion për çka ndodh në territorin që duhet të kontrollojnë. Por a është vetëm policia?

Pak ditë më parë publikuam lajmin se kreu i njësisë administrative Pult ishte betuar e përbetuar në media se në zonën që kishte në administrim nuk kishte asnjë bimë të mbjellë. Por në fakt, plot 46 plantacione me hashash u asgjesuan në pronën e tij private dhe zotëria ra në prangat e uniformave blu.

Ndaj nuk është pa vend të themi se përgjegjësi kanë gjithë kryetarët e bashkive, apo administratorët e vendosur nga ta, për marrjen e informacioneve në terren dhe referimin e tyre rast pas rasti në organet e rendit. Nëse informacioni i sjellë prej tyre do të anashkalohet, atëherë po, do të duhet që të gjitha shigjetat të binin mbi policinë e shtetit.

Por nuk janë vetëm këta. Janë me mijëra punonjës të Shërbimit Informativ të shtetit që gjenden në terren, që kanë informatorët e tyre. A duhet të anashkalohet kjo strukturë e rëndësishme nga përgjegjësia për dhënien apo mosdhënien e informacionit për tokat e mbjella me hashash? Kush mban përgjegjësi prej tyre dhe pse nuk përmenden asnjëherë kur bëhet fjalë për luftën kundër kultivimit të bimës narkotike?

Në fund fare, Ladit i kërkohet të ruajë rendin dhe sigurinë, po Ladit i kërkohet të ndalojë dhunën në familje, Ladit i kërkohet të shkojë i pari te vjedhja e banesës, apo edhe aty kur ka aksidente rrugore. Ladit i kërkojnë që të evidentojë edhe ndërtimet pa leje, apo të shkojë dhe të arrestojë edhe atë që vjedh energjinë elektrike. Ladit i thonë të kapë hajdutin, vrasësin, dhunuesin, abuzuesin, të gjejë piromanin…dhe në fund (apo në fillim të ditës) i thonë të marrë kazmën e lopatën në dorë të dalë fushave në fushatë korrjeje…Ladi në fund të ditës, është për të qarë hallin.

Le të ikë Sajmiri, e të vijë Tahiri…Historia e Hashashit, nuk fillon e nuk mbaron te policia. Eshtë një shoqëri e tërë dhe një strukturë e plotë shtetërore që duhet të mbajë përgjegjësi për çka ndodh në terren. Në fund fare, kemi të bëjmë me njerëz që duan punë dhe nuk kanë, dhe e gjejnë veten të punësuar në këto fusha hashashi. Nuk ka punë krahu, vështirë të gjesh punë mendjeje…Dhe pasojat e varfërisë së shoqërisë nuk mund t’i mbajë vetëm policia.

Le t’i themi falemnderit Ladit dhe mijëra policëve në terren që nuk po tërhiqen aspak ndaj informacionit që marrin për të shkuar dhe shkatërruar plantacionet, edhe jashtë orarit. Le të ndërgjegjësohen të gjithë t’i japin një dorë strukturave shtetërore për të luftuar këtë fenomen. Sepse në fund të ditës, kur i kërkojmë të gjitha nga policia, duhet ta mbështesim në përpjekjen e saj kolosale për të vendosur rregull jo vetëm në territor, por edhe në mendjet e mbrapshta të një pjese të shoqërisë shqiptare.

Article Logic
Execution time: 0.0037708282470703