Më shumë se 200 shqiptarë arrestohen çdo muaj në Angli si të përfshirë në trafikun e drogës dhe për vepra të tjera kriminale të dhunshme. Të dhënat janë publikuar në gazetën "Sunday Express" ku thuhet se në 36 nga 43 forca policore të Anglisë dhe Uellsit, janë ndërmarrë 2,676 arrestime të shqiptarëve për trafik droge e prostitucioni si dhe kërcënime me vdekje.
Kjo gazetë thotë se më shumë se 100 arrestime në muaj ndodhin në Londër duke theksuar se numri i shtetasve shqiptarë në burgjet angleze ka shkuar në 716 duke përbërë 8% të numrin të burgosurve të huaj në burgjet britanike. Një raport i NCA Agjencisë kundra krimit të organizuar thuhet se grupet kriminale nga Ballkani janë duke zgjeruar influencën dhe rrjetet e tyre pasi kanë krijuar lidhje të drejt- përdrejta me kartelet e drogës në Amerikën Latine.
“Kërcënimi që vjen nga grupet kriminale shqiptare është i madh. Londra është qendra kryesore e tyre por ata operojnë në të gjithë Anglinë”, thuhet në raport. Në shkrimin e "Sunday Express" theksohet se shqiptarët në Angli nuk janë të përfshirë vetëm në trafikun e drogës por edhe në pastrim parash madje ka patur raste kur ata kanë goditur edhe forcat e policisë.