Merr një kthesë të papritur fati i ndeshjes Partizani-Vllaznia. Pas kundërshtimit të fuqishëm të tifozëve bardheblu për të luajtur të kuqtë në “shtëpinë” e tyre, duket se në këtë qasje është edhe policia e kryeqytetit. Kjo e fundit, përmes një shkrese të drejtuar dje klubit të Partizanit, atij të Tiranës, FSHF-së dhe Bashkisë së Tiranës, kërkon që ndeshja Partizani-Vllaznia të mos luhet në “Selman Stermasi”, sepse ka informacione për trazira mes tifozëve. Shkresa e cila mban firmën e Drejtorit të Policisë së Tiranës Ervin Hodaj bën te ditur se Policia e Tiranës nuk mund të garantojë mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes pasi ka informacion se tifozët e Tiranës planifikojnë të shkaktojnë trazira për të penguar zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin bardheblu. Ne shkrese thuhet se mund te perdoren disa mënyra nga tifozeria, qe nga konflikti me tifozët e Partizanit, bllokimi i hyrjes se stadiumit, si dhe duke u përpjekur të kryejnë akte të ndryshme dhune në stadium gjatë ndeshjes. Drejtoria e Policsië së Tiranës ka kërkuar nga aktorët e përfshirë gjetjen e një zgjidhje tjetër për të evituar aktet e dhunës. Një detaj ky i rëndësisë maksimale pasi miratimi i policisë është thelbësor për zhvillimin e ndeshjes. Për të shmangur çdo lloj incidenti të mundshëm FSHF pritet të japë një zgjidhje tjetër.