Policia e Elbasanit ka marrë masa të ashpra para përballjes mes Skënderbeut dhe Mlada Boleslav në ndeshjen e kthimit për turin e tretë kualifikues në Europa League.
Takimi do të luhet ditën e sotme në orën 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa në kuadër të rendit dhe sigurisë do të angazhohen rreth 185 punonjës policie dhe pjesëtarë të forcave speciale të FNSH-së.
"1. Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth stadiumit “Elbasan Arena”, dhe para sheshit te stadiumit
2. Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga kryqëzimi i Romëve deri tek Kryqezimi i Tapeteve.
3. Nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi I mjeteve në segmentin rrugor nga "Kryqëzimi i rrugës së Tapetave" deri tek Ish Konservimi pasi kjo rrugë do të shërbejë edhe për raste emergjente.
Lëvizja e mjeteve të ekipit vendas dhe të huaj, do të bëhet në rrugën “Nga Rrethrrotullimi i luleve”- Posta –Bashkia - Stadium e kthim", thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu uniformat blu u bëjnë thirrje sportdashësve që do të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit të sillen paqësisht pasi nuk do të lejohen të futen brenda me sende të forta si: shishe, fishekzjarre, monedha, çelësa apo metale të ndryshme.