Policia e Shkodrës ka marrë një sërë masash në kuadër të ndeshjes Shqipëri-Itali e vlefshme për Kampionatin Botëror 2018, që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. Masat e marra nga policia janë ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të.
Ja si do bëhet qarkullimi i makinave:
Për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e Qytetit Shkodër, si nga krahu lindor ashtu edhe nga krahu perëndimorë, rrugë e cila do të orientohet dhe monitorohet nga shërbime policore.
Për parkim të automjeteve në qytetin Shkodër do të përdoren këto vende:
Sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish Ndërmarrja e Fermentimit.
Gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”.
Sheshi tek stacioni i trenit të udhëtarëve.
Sheshi dhe rruga tek “Fusha e Druve” në unazën lindore.
Nga ora 08:00, datë 09.10.2017 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, si dhe do të bëhet largimi i automjeteve të parkuara në këto akse rrugore:
Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 08:00, datë 09.10.2017 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nga ora 12:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00.
Unaza perendimore,duke filluar nga Rr. “Bajram Curri”deri te Rr. “Ibrahim Rugova”.
Rruga “Muhamet Dibra” deri tek parkimi i stadiumit.
Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se rruga “Bujar Bishanaku”, do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozave vendas dhe të huaj.
Në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00.
Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “Bujar Bishanaku” dhe anasjelltas, nga ora 10:00 deri në ora 24:00.
Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 10:00 deri në orën 24:00.
Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perime në Zdrale nga ora 10:00 deri në orën 24:00.
Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore:
“Xhabije – Parrucë”
“Sheshi 2 Prilli – Parrucë”
“Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë”
“Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”
Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 17:00.
Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdollojti, fishekzjarrëve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.
Njoftojmë administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke mbyllur aktivitetet e tyre në orën 14:00.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve shkodran dhe drejtuesve të automjeteve, të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje pasi, do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë. Duke falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe mediat për bashkëpunimin!