Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Shijak dhe ka identifikuar autorët që qëlluan me automatik në drejtim të makinës së biznesmenit Dash Gjoka. Bëhet fjalë për dy vëllezërit nga Shijaku, E.K. 32 vjeç dhe M.K. 36 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.
Policia thotë se dy vëllezërit, në vendin e quajtur “Komuna Xhafzotaj”, Shijak, dyshohet se duke lëvizur me një mjet tip “Benz” kanë qëlluar me armë zjarri automatik automjetin tip “Benz” të blinduar (po në lëvizje) që drejtohej nga shtetasi Dashamir Gjoka, 46 vjeç, banues në Shijak.
Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur persona të dëmtuar, pasi Gjoka ka shpëtuar së bashku me fëmijët që i kishte në automjet, për shkak se ai ishte i blinduar.
Gjatë këqyrjes në vendin e ngjarjes u fiksuan në cilësinë e provës materiale 26 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm.
Policia ka bllokuar gjithashtu edhe mjetin tip “Benz” në cilësinë e provës materiale, në të cilin dyshohet se kanë qenë shtetasit e mësipërm, si autorë të dyshuar në momentin e goditjes me armë zjarri.
Grupi hetimor nuk jep më shumë detaje mbi ngjarjen për shkak të hetimeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.