INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Politika shqiptare ngushëllon Francën

Politika shqiptare ngushëllon Francën

Publikuar më: 10:12 15-07-2016

Kreu i Shtetit Shqiptar, Bujar Nishani ka dërguar mesazh Presidenti të Republikës franceze, François Hollande ku i ka shprehur ngushëllime dhe duke dënuar dhe aktin e tmerrshëm që ndodhi në Nisë të Francës.
“I nderuar Zoti President, Akti i mbrëmshëm terrorist në Nisë, që përgjaku Ditën Kombëtare të Francës dhe gëzimin e francezëve, më tronditi dhe më revoltoi pa masë. E dënoj me forcën më të madhe këtë akt çnjerëzor dhe në këto momente dhimbje dhe zemërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me ju dhe popullin francez. Me trishtim të thellë u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe të afërme të viktimave, juve dhe qeverisë suaj, ndërsa të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë,” ka shkruar Nishani.

Edhe Kryeministri Rama në një postimi në Tëitter shkruan se strategjia e tmerrit nuk do ta gjunjëzojë kurrë botën e lirë.
Ja ç’shkruan Rama:
“Strategjia e tmerrit nuk do ta gjunjëzojë kurrë botën e lirë! Nazizmi i ri do të mundet njësoj si i vjetri! Franca dhe liria do triumfojnë”.

Ndërsa kreu i LSI, njëheresh kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka nisur drejtuesve të shtetit francez këtë mesazh:
“Më lejoni t’Ju përcjell në emër të Kuvendit të Shqipërisë keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave të sulmit tronditës që ndodhi mbrëmë vonë në darkë në qendër të qytetit Nice, duke uruar njëkohësisht nga zemra shërim të shpejtë për të gjithë ata qindra qytetarë dhe fëmijë të plagosur. Sulmi i djeshëm është një sulm ndaj të gjithë qytetarëve evropianë, ndaj Shqipëria dhe  populli shqiptar gjenden sot përkrah popullit francez dhe në solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët e Nicës. Terrori nuk mund të cënojë lirinë dhe vlerat e shoqërive tona demokratike, ndaj duhet të intensifikojmë bashkëpunimin dhe koordinimin mes vendeve tona aleate në interes të forcimit të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të pafajshëm që jetojnë në hapësirën evropiane.”

Po kështu ka reaguar dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha:
"Ngjarja shokuese në Nisë të Francës ku nga një sulm shtazarak kanë mbetur mbi 80 të vdekur, ka sjellë trishtim e zemërim kudo në mbarë botën dhe në Shqipëri. Dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të uroj nga zemra shërim të shpejtë të plagosurve. Ne jemi me të bashkuar se kurrë në luftën pa kompromis kundër çdo lloj ekstremizmi që merr jetë të pafajshme".

Article Logic
Execution time: 0.0035140514373779