Politikanët e korruptuar dhe ata që janë të lidhur me kriminin e organizuar kanë arsye të fortë që të nisin të shqetësohen. Për ta është pothuajse gati Struktura e Posaҫme Anti–Korrupsion. Pas fiks tre vitesh që Parlamenti miratoi drejtësinë e re, organi që do të merret me politikanët është gati të nis punën. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi zbuloi se në një intervistë për “Deusche Welle” se struktura anti-korrupsion do të nis funksionimin në muajin shtator.
“Nga shtatori apo fillimi i tetorit. Për secilin nga 15 kandidatët e SPAK, KLP do të marrë një vendim për ta emëruar sapo të kalojë vettingun. Kur kjo të ndodhë për 7 apo 8 syresh do të shpallim krijimin e SPAK dhe fillimin e funksionimit të tij”, tha ai.
Por cilat do të jenë dosjet e para që do të hapen?
“SPAK do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë ҫështje të fjetura. Dëshiroj të theksoj që hapja e ҫështjeve të fjetura penale nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar. Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada”, nënvizoi Ibrahimi.
Në nenin 135, pika 2 të Kushtetutës e ka të përcaktuar se, Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrat, deputetët, kryebashkiakët dhe gjyqtarët e prokurorët të organeve më të larta.