Ivan Cuellar ishte çelësi i fitores së Leganés kundër Barcelonës në “Butarque”. Portieri “hero” bëri disa ndërhyrje të rëndësishme dhe shpëtimtare, duke e parandaluar ekipin e trajnerit Valverde që të merrte të paktën një pikë. Pas përfundimit me fitoren 2-1 të Leganes, portieri Cuelar nuk e “kafshoi gjuhën” fare, teksa po fliste për “El Larguero”.
Ai u ankua për mungesën e sportivitetit të lojtarëve të Barcelonës. “Është e vërtetë që jemi Leganes, një ekip i përulur, por më pëlqen që kundërshtarët të sillen me sportivitet ndaj nesh. Disa lojtarë dhe skuadra mund të jenë mësuar më së shumti të fitojnë, por ja që edhe humbet në futboll.
Kur humbet duhet ta përshëndesësh dhe përgëzosh ekipin tjetër, diçka që lojtarët e Barcelonës nuk e bënë, – siguroi portieri. – Askush nuk erdhi për të na uruar, askush prej nesh nuk është përgëzuar. Unë mendoj se ky është një gjest mjaft i shëmtuar”.