Portugalia është ekipi i radhës që ka siguruar kualifikimin në fazën e dytë të Kampionatit Europian. Ndeshja e luajtur në Lens u mbyll 1-0, pas 120 minutash lojë. Koha e rregullt ka mbaruar në barazim pa gola, me të dyja skuadrat që janë përpjekur të shënojnë, por pa arritur të prekin portat kundërshtare.
E njëjta situatë ka qenë edhe në kohën shtesë, me të dyja skuadrat që janë përpjekur të ndryshonin rezultatin. Kësaj ia ka arritur Portugalia, pikërisht atëherë kur mendohej se shtesat do t’ia linin vendin 11-metërshave.
Në minutën ’117, Quaresma ka çuar topin në rrjetë dhe rrjedhimisht edhe skuadrën në turin tjetër të Euro 2016. Në minutat e mbetura kroatët janë përpjekur të gjejnë barazimin, duke patur një rast para porte, por në pamundësi për ta shfrytëzuar si duhet.