Një 28-vjeçar i kërkuar nga drejtësia italiane është arrestuar nga Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe policinë e Elbasanit.
Mësohet se në pranga ka rënë Bledar Ibrahimi, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Si rezultat i operacionit, nga agjentët e Antiterrorit u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar B. I., 28 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se Interpol Roma në datë 15.04.2019 e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbi bazën e vendimit të arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Republikës Italiane në mars 2019, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste, parashikuar nga neni 270 i Kodit Penal italian”, sqaron policia.
Ky person më parë është deportuar nga Italia si person i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike në Itali, pasi dyshohet të jetë i përfshirë me organizata terroriste në Itali dhe Egjipt.